Rama i jep Alban Eftimit stadiumin “Selman Stërmasi” për kulla

SPAK-u flë gjumë përballë kësaj afere

Rijetëzimi i Stadiumit “Selman Stërmasi”: Një Investim në beton  në në dëm të sportit

Qeveria shqiptare ka shpallur një garë për ndërtimin e stadiumit të ri “Selman Stërmasi”, duke premtuar një investim të madh në bashkëpunim me sektorin privat. Ky projekt synon transformimin e infrastrukturës sportive dhe urbane të zonës, duke hapur rrugën për ndërtime në hapësirat pranë stadiumit. Më 24 dhjetor, Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH) shpalli zyrtarisht garën, me afat aplikimi deri më 24 janar.

Ndryshimet në Planifikimin Urbanistik

Në vitin 2019, Bashkia e Tiranës ndryshoi Planin e Përgjithshëm Vendor (PPV), duke e bërë zonën rreth stadiumit “Selman Stërmasi” subjekt për Plan të Detajuar Vendor (PDV). Kjo zonë, me një sipërfaqe prej rreth 57,000 metrash katrorë, parashikon deri në 120,000 metra katrorë ndërtim mbi tokë. Më parë, zona konsiderohej e konservuar, pa ndërtime, veçse “për ristrukturim”. Me ndryshimin e PPV-së, u futën instrumente zhvillimi si “intensiteti i ndërtimit” dhe “transferimi i së drejtës së zhvillimit”.

në vitin 2022, Bashkia miratoi PDV: TR/239 ku pjesa veriperëndimore e zonës rreth stadiumit u ri-kategorizua nga “aktivitete sociale dhe rekreacion” në “nën-njësi zhvillimi për banim”.

Si rezultat, u krijuan kushtet (shiko PDV-në për Nën-njësinë 1) për ndërtimin e një kulle 9-katëshe, Rosé Residence, nga kompania “Texas Development” e vëllezërve Alban, Andi dhe Olsi Eftimi.

Pjesa tjetër, stadiumi dhe aneksi, u përcaktuan në PDV si “njësi konservimi për rizhvillim” me katër nën-njësi të tjera të kategorizuara “për transferim”. Megjithëse PDV-ja mbetet në fuqi, rijetëzimi i propozuar nga Korporata pritet të ndikojë zhvillimin e mëtejshëm të zonës.

Në dokumentin e kualifikimit për idenë e “rijetëzimit të Selman Stërmasit” thuhet se “në zemër të projekti qëndron dëshira për t’iu përgjigjur nevojave sociale dhe kulturore të popullsisë”. Megjithatë, në të njëjtin dokument theksohet se kjo do të arrihet përmes “shumëfishimit të funksioneve të pronës duke përfshirë edhe aktivitetet tregtare”.

Këto specifikime ngrenë dyshime se projekti i ri për stadiumin “Selman Stërmasi” do të jetë i ngjashëm me atë të “Arenës Kombëtare”, i cili përfshiu ndërtimin e një kulle dhe hapësirave për biznese në raport të zhdrejtë me ato sportive.

Projekti i Ri dhe Dyshimet për Komercializim

Dokumenti i kualifikimit për idenë e “rijetëzimit të Selman Stërmasit” thekson se synohet t’u përgjigjet nevojave sociale dhe kulturore të popullsisë, por gjithashtu përfshin “shumëfishimin e funksioneve të pronës duke përfshirë edhe aktivitetet tregtare”. Kjo ngre dyshime se projekti mund të jetë i ngjashëm me atë të “Arenës Kombëtare”, i cili përfshiu ndërtimin e një kulle dhe hapësirash për biznese, duke i dhënë fokus më të madh tregtar se sa sportiv.

Gara e Paracaktuar?

Afati prej vetëm 30 ditësh për aplikime, që përkon me periudhën e festave të fundvitit, kufizon mundësinë e përgatitjes së dokumentacionit dhe projekt-ideve arkitekturore. Gjithashtu, kriteret teknike dhe financiare janë të forta: aplikantët duhet të tregojnë se gjatë tre viteve të fundit kanë pasur stabilitet financiar, akses në fonde prej të paktën 12 milionë euro dhe përvojë në projekte të ngjashme me vlerë mbi 6 milionë euro.

Në Shqipëri, përvoja me projekte të mëdha sportive kufizohet te pak kompani. “Albstar”, kompania që ka ndërtuar “Arenën Kombëtare”, është një nga të vetmet që përmbush lehtësisht këto kritere, duke e bërë atë favorit për të qenë në rolin e investitorit ose nënkontraktorit për punimet.

Pa garanci për klubet e kryeqytetit

Stadiumi “Selman Stërmasi”, ndërtuar në vitet ’50, ka shërbyer si “shtëpi sportive” për KF Tiranën dhe Dinamon. Megjithatë, dokumenti i kualifikimit për “rijetëzimin” e tij nuk parashikon asnjë garanci për këto klube historike. Kjo nënkupton se roli i klubeve apo i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) në lidhje me projektin do të mbetet subjekt negociatash pas përzgjedhjes së fituesit të garës.

Bashkia e Tiranës, e cila është aksionere me 33% të kuotave të KF Tiranës, duket se po vepron vetëm si institucion që i ka kaluar titullin e pronësisë së stadiumit Korporatës së Investimeve, duke lënë në hije interesat e klubit. KF Tirana, në pronësi të familjes Halili në masë 66%, nuk është në kushte financiare për të marrë pjesë në garë, dhe propozimet e saj për ndërtimin e një impianti të ri, prezantuar që nga viti 2014, janë shpërfillur, me gjasë sepse projekti nuk nxiste interes për ndërtuesit pasi ishte pa kullë.

Projekti për rijetëzimin e stadiumit “Selman Stërmasi” ngre shqetësime për komercializimin e hapësirave sportive dhe favorizimin e interesave të kompanive të mëdha ndërtuese, në dëm të klubeve lokale dhe komunitetit sportiv. Mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet ky proces dhe cilat do të jenë pasojat për sportin dhe urbanistikën e kryeqytetit.

Publikuar nga Publik Media