Rama i kërkon dorëheqjen Tërmet Peçit nga mandati i deputetit
Deputeti paralajmëron arrestimin e Tërmet Peçit: Prisni edhe një muaj dhe do të shihni!
Në një lëvizje që po përflitet si tentativë për të shmangur një tjetër goditje ndaj Partisë Socialiste, burime të Publik.al bëjnë me dije se Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar personalisht Tërmet Peçit të heqë dorë nga mandati i deputetit, përpara se të betohet në shtator.
Kërkesa ndaj Peçit, i zgjedhur deputet në zgjedhjet e 11 majit pas një periudhe si kryetar i Bashkisë së Tepelenës, vjen në kulmin e tensioneve me SPAK-un dhe hetimeve të thelluara për korrupsion, ku emri i tij përmendet gjithnjë e më shpesh.
Paralajmërimi i opozitës: Arrest para shtatorit?
Deputeti demokrat Belind Këlliçi ka qenë ndër të parët që ka lëshuar publikisht një paralajmërim të fortë: “Nuk dihet nëse Tërmet Peçi do të arrijë të betohet në shtator apo do të arrestohet më parë për korrupsion.”
Sipas Këlliçit, në përgjimet e SPAK ku përfshihet edhe Erion Veliaj, vetë kryebashkiaku i Tiranës ka deklaruar se Peçi dhe Agron Malaj u kandiduan për deputetë me një qëllim të vetëm: të sigurojnë imunitet parlamentar dhe të shpëtojnë nga ndjekja penale.
“Për Tërmetin dhe Agronin kishte vendosur vetë Rama që t’i shpëtonte nga drejtësia me mandate, ndërsa për Veliajn kishte vendosur që ta lërë të bëjë burg edhe për shokët,” – deklaroi Këlliçi në një intervistë për A2.
Skema e imunitetit: përballje me drejtësinë apo mbrojtje politike?
Nëse dorëheqja e Peçit ndodh, do të jetë një precedent domethënës që forcon narrativën se mandatet e disa deputetëve të PS-së janë përdorur si mburojë ndaj SPAK-ut, por jo gjithmonë funksionale. Rasti i Veliajt e konfirmon këtë.
Tërmet Peçi është përmendur në disa investigime mediatike dhe hetime për abuzime me fondet publike gjatë drejtimit të Bashkisë Tepelenë. Disa nga kontratat dhe tenderët e dhënë në periudhën e tij janë aktualisht nën hetim.
A do të sakrifikohet Peçi për të shpëtuar imazhin e PS-së?
Nëse Rama ka vendosur ta “nxjerrë nga loja” Peçin përpara shtatorit, kjo do të lexohet si një sakrificë taktike për të ruajtur imazhin e mazhorancës para një vale të re hetimesh. Por gjithashtu është një sinjal se përballja me SPAK-un ka kaluar në një fazë ku as mandati nuk është më garanci për mbijetesë politike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



