E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama i lë të gjithë ‘pa mend’: Në Shqipëri s’ka oligarkë!
Lajme

Rama i lë të gjithë ‘pa mend’: Në Shqipëri s’ka oligarkë!

“Kush e thotë, është komunist”

Kryeministri Edi Rama deklaroi se në Shqipëri nuk ekzistojnë oligarkë, gjatë një takimi me furnizuesit e karburanteve, duke nxitur debat mbi raportin mes qeverisë dhe biznesit të madh në vend.

Sipas tij, përdorimi i termit “oligark” është i gabuar dhe lidhet me një mënyrë të vjetër të të menduarit. Rama argumentoi se kjo fjalë mbart një kuptim specifik dhe, sipas tij, përdoret shpesh nga ata që nuk janë shkëputur nga terminologjia e periudhës komuniste, duke e krahasuar me nocione të së shkuarës si “kulak”.

Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se nëse në Shqipëri do të kishte oligarkë në kuptimin klasik të fjalës, atëherë sipas tij nuk do të kishte masa që synojnë kufizimin e fitimeve abuzive apo zgjerimin e konkurrencës në treg. Rama shtoi se politika fiskale, që parashikon më shumë detyrime për ata që fitojnë më shumë, është një tjetër tregues që bie ndesh me idenë e ekzistencës së oligarkëve.

Në të njëjtin takim, kreu i qeverisë përmendi edhe iniciativat për rregullimin e tregut të karburanteve, duke përfshirë krijimin e mekanizmave të rinj monitorimi. Ai foli për një projekt ku përfshihet edhe kompania shqiptare “AlbTreis”, në bashkëpunim me partnerë të huaj, e cila synon të ndjekë zinxhirin e naftës që nga hyrja në port deri në daljen në kufi, me qëllim rritjen e transparencës dhe kontrollit.

Rama u shpreh gjithashtu se bizneset e sektorit të karburanteve nuk duhet të konsiderohen automatikisht si abuzuese, duke shtuar se jo çdo kritikë që u drejtohet atyre është e drejtë.

“Unë personalisht hyj tek ata që mendojnë që në Shqipëri nuk ka oligarkë sepse fjala oligark ka një kuptim të caktuar dhe kush e përdor këtë fjalë nuk është çliruar akoma nga kthetrat e propagandës komuniste, thjesht e ka ndryshuar fjalën për ta sjellë veten më në kohë, nga kulak e ka bërë oligark se i duket vetja më modern. Oligarkë në Shqipëri nuk ka se po të kishte nuk do të paguajnë më shumë ata që fitojnë më shumë. Po të kishte oligarkë në Shqipëri, nuk do të kishte iniciativa nga ana jonë për të ngushtuar rrethin e fitimit abuziv të atyre që kanë më shumë. Po të kishte oligarkë, do të kishte sot nuk di sa herë më tepër subjekte që kanë akses në fondet publike falë konkurrecës apo në të drejtat që shteti jep në bazë të ligjit për ata që duan të bëjnë sipërmarrje. Oligarkët, si definicion, i ngushton rrugët e konkurrencës dhe qeverisë rripin nëse ajo do të zgjerojë fuqinë e interesit publik në raport me interesin privat. Kjo nuk rezulton në Shqipëri. Nuk konsideroj që i meritoni të gjitha të zezat që thonë për ju,” tha kryeministri Rama.

Deklaratat e tij vijnë në një moment kur çmimet e karburanteve janë në rritje dhe diskutimi mbi konkurrencën, fitimet dhe rolin e shtetit në treg është rikthyer në qendër të vëmendjes publike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.