E mërkurë, 28 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama nuk ndalet, qeveria nis të “gatuajë” regjistrin e protestuesve
Lajme

Rama nuk ndalet, qeveria nis të “gatuajë” regjistrin e protestuesve

Mund t’u bllokohet dalja nga Shqipëria pa vendim gjykate

Qeveria ka miratuar krijimin e një regjistri të posaçëm elektronik për personat e dyshuar për veprime të dhunshme gjatë protestave, duke parashikuar edhe mundësinë e refuzimit administrativ të daljes së tyre jashtë vendit, në raste të caktuara, edhe pa një vendim gjykate që ndalon largimin nga Shqipëria.

Vendimi i Këshillit të Ministrave, i miratuar më 28 tetor, i jep Policisë së Shtetit një mekanizëm të ri për identifikimin dhe administrimin e të dhënave për personat e referuar në prokurori për veprime konkrete të dhunshme ndaj jetës, shëndetit apo pronës publike dhe private gjatë tubimeve.

Nisma vjen në një kohë kur protestat e nisura më 13 tetor kanë shtuar tensionet mes demonstruesve dhe autoriteteve. Po këtë të mërkurë, Drejtoria e Antiterrorit njoftoi arrestimin e një personi dhe referimin në prokurori të 17 të tjerëve për vepra të dyshuara penale të lidhura me tubimet.

Policia mund të ndalojë daljen nga vendi

Një nga pikat më të debatueshme të vendimit lidhet me kompetencat e Policisë Kufitare dhe të Migracionit. Sipas aktit, kur nga verifikimi individual dalin të dhëna konkrete për përfshirjen e një personi në veprime të dhunshme gjatë protestave, autoritetet mund të refuzojnë administrativisht daljen e tij nga territori shqiptar.

Kjo masë parashikohet edhe në rastet kur ndaj personit nuk është caktuar një masë sigurimi gjyqësore që i ndalon largimin jashtë vendit.

Në rastet kur dalja nuk refuzohet, vendimi parashikon njoftimin e autoriteteve të vendit të destinacionit se personi është referuar për veprat penale të përcaktuara në akt.

Policia parashikohet të njoftojë gjithashtu subjektet private që administrojnë struktura akomoduese për individët ndaj të cilëve ka të dhëna konkrete për pjesëmarrje në veprime të dhunshme dhe për të cilët janë referuar materiale në prokurori.

Regjistrimi nuk kërkon vendim fajësie

Regjistri do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe do të përmbajë të dhëna identifikuese, burimin e informacionit, datën e regjistrimit, referimet procedurale, masat kufizuese në fuqi dhe historikun e përditësimeve.

Përfshirja në këtë sistem nuk kushtëzohet nga një vendim gjyqësor që shpall personin fajtor. Regjistrimi mund të bazohet në dokumentacionin e referuar nga policia, kur evidentohen veprime konkrete të dhunshme sipas kritereve të përcaktuara në vendim.

Pikërisht ky element ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si do të zbatohen masat ndaj personave që janë nën hetim, por ndaj të cilëve nuk ka një vendim përfundimtar fajësie.

Çfarë ndodh me të dhënat e personave të regjistruar?

Sipas vendimit, nevoja për ruajtjen e të dhënave të personave të referuar duhet të rishikohet brenda 30 ditëve nga regjistrimi. Nëse prokuroria vendos mosfillimin e procedimit penal ose pushimin e çështjes, të dhënat e personit duhet të fshihen nga regjistri.

Qeveria parashikon që përpunimi i informacionit të bëhet në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, duke kufizuar aksesin dhe duke kërkuar respektimin e parimit të proporcionalitetit.

Megjithatë, mbetet me rëndësi mënyra se si do të kontrollohen vendimet për refuzimin e daljes nga vendi, cilat mundësi ankimi do të kenë personat e prekur dhe si do të garantohet që masat administrative të mos cenojnë në mënyrë të pajustifikuar lirinë e lëvizjes dhe prezumimin e pafajësisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.