Rama nxjerr në shitje vilat qeveritare

Nga vila të pushtetit, në pasuri për biznesin? Rama nis privatizimin e rezidencave qeveritare nën petkun e turizmit elitar

Sot, 7 finalistë nga faza e dytë e një gare të organizuar nga qeveria shqiptare prezantuan përpara një jurie ndërkombëtare projektet e tyre për “transformimin” e vilave qeveritare të amortizuara në struktura për turizëm elitar dhe pritje VIP-ash.

Por ajo që po paraqitet si një hap për “funksione publike”, ngjall jo pak dyshime për një proces të ri privatizimi nën maskën e zhvillimit.

Kryeministri Edi Rama e quajti këtë proces një model të suksesshëm:

“Kjo është rruga për t’i kthyer këto asete në funksione me interes publik dhe për t’i jetëzuar duke i dhënë mundësi sipërmarrjes për t’i transformuar në burim të ardhurash,” – deklaroi ai.

Në fokus të projekteve janë edhe lokalitete të simbolikës historike si ish-vila e diktatorit dhe rezidenca qeveritare në Velipojë, që sipas Ramës do të marrin jetë të re përmes investimeve private.

E shitur si “inovacion për turizmin elitar”, kjo nismë rrezikon të kthehet në një tjetër shembull të përvetësimit të pronës publike për interesa private me mbështetjen e qeverisë dhe heshtjen e institucioneve.

 

Publikuar nga Publik Media