Rama nxjerr sërish karriget te Kryeministria dhe paralajmëron: Do e paguani!
Kryeministri Edi Rama ka përsëritur ftesën për dialog me studentët dhe pedagogët, pavarësisht refuzimit të tyre një ditë më parë. Përpara godinës së Kryeministrisë janë vendosur sërish karriget dhe fletët me ofertën për bisedime, ndërsa protesta kundër qeverisë vijon.
Përmes një videoje të publikuar në Facebook, kreu i qeverisë ka mbajtur të njëjtin qëndrim, duke e paraqitur dialogun si rrugën për zgjidhjen e pakënaqësive. Megjithatë, këtë herë mesazhi i tij është shoqëruar edhe me një paralajmërim të drejtpërdrejtë: personat që dëmtojnë pronën publike apo private do të përballen me pasoja ligjore dhe financiare.
Rama ka deklaruar se e drejta për të protestuar është e pamohueshme, por sipas tij, kjo e drejtë nuk mund të përdoret për të justifikuar dhunën apo për të cenuar liritë e qytetarëve të tjerë.
“Ka një mijë e një pakënaqësi, një mijë e një halle, një mijë e një probleme, mund të ketë edhe 1001 arsye për të protestuar, por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën”, u shpreh kryeministri, duke këmbëngulur se dialogu duhet të jetë rruga për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
“Dje dialogu mori përgjigjen e dhunës”, Rama përsërit ofertën
Në mesazhin e tij, kryeministri iu referua edhe refuzimit të një dite më parë, duke pretenduar se ftesa për dialog ishte përballur me dhunë. Megjithatë, ai deklaroi se oferta për bisedime mbetet e hapur për ata që kanë qëndrime të ndryshme nga të tijat.
“Dora ime është e shtrirë për këdo që mendon ndryshe nga unë dhe që mendon ndryshe nga shumica e terrorizuar nën trysninë e dhunës”, tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se kërkesat për përmirësime duhet të adresohen përmes punës dhe përdorimit të të ardhurave për zgjidhjen e problemeve. Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi se personat që përfshihen në akte dhune apo dëmtojnë pronën do të mbajnë përgjegjësi.
“Distancohuni nga dhuna dhe çdo dhunues do të marrë përgjigje. Përgjigja do të jetë konstante, ligjore dhe financiare. Kush dëmton pronën e përbashkët dhe pasurinë e tjetrit do të paguajë”, deklaroi kryeministri.
Ai shtoi se liria dhe të drejtat e një individi nuk mund të cenojnë ato të të tjerëve, duke e lidhur këtë parim me nevojën për bashkëjetesë demokratike dhe paqësore.
Studentët dhe pedagogët vijojnë kërkesën për dorëheqjen e Ramës
Pavarësisht ofertës së përsëritur nga kryeministri, studentët dhe pedagogët kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë. Ata mbeten të vendosur në kërkesën për dorëheqjen e Edi Ramës, ndërsa ftesa për dialog nuk ka sjellë deri tani një tërheqje nga qëndrimi i tyre.
Vendosja sërish e karrigeve përpara Kryeministrisë tregon se qeveria po këmbëngul në ofertën për bisedime, por mbetet për t’u parë nëse palët do të gjejnë një pikë takimi apo përplasja politike dhe protestat do të vijojnë.
Në qendër të debatit mbeten kërkesat e studentëve dhe pedagogëve, reagimi i qeverisë ndaj tyre dhe paralajmërimet e kryeministrit për përgjegjësi ligjore e financiare ndaj personave që shkaktojnë dëme gjatë protestave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



