E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama përplaset me gazetaren, detyrohet të ndërpresë konferencën
Lajme

Rama përplaset me gazetaren, detyrohet të ndërpresë konferencën

Kryeministrin e lëshojnë nervat

Kryeministri Edi Rama është përfshirë në një debat të tensionuar me një gazetare gjatë konferencës së sotme për mediat, pasi u pyet për atë që u konsiderua si përdorim i standardeve të dyfishta në lidhje me ndëshkimet penale.

Gazetarja i rikujtoi kreut të qeverisë deklarata të mëparshme të tij, ku ishte folur për masa të forta ndaj qytetarëve që nuk paguajnë energjinë elektrike apo që ndërtojnë pa leje. Ajo e pyeti pse, në rastin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar arrestimin, Rama kishte deklaruar se nuk ishte dakord me burgun dhe kishte përmendur standardet e Bashkimi Evropian.

Në përgjigjen e tij, Rama mohoi se ka deklaruar ndonjëherë që qytetarët mund të përfundojnë në burg për shkak të mospagesës së energjisë elektrike. Sipas tij, ndëshkimi penal lidhet vetëm me rastet kur energjia elektrike vidhet.

“Jetojmë në një kohë kur gënjeshtra duke u përsëritur bëhet e vërtetë. Unë nuk kam thënë kurrë burg për ata që nuk paguajnë dritat dhe askush në historinë e këtij vendi nuk ka shkuar në burg për këtë. Unë kam thënë burg për ata që vjedhin dritat”, deklaroi kryeministri.

Debati gjatë konferencës u tensionua edhe më tej, pasi Rama e ndërpreu gazetaren dhe i kërkoi të mos e kthente konferencën në një përplasje direkte.

“Këtu nuk është për miting, këtu ka pyetje dhe përgjigje, jo debat. Gjëja që ti më kërkon është të jap përgjigjen që do ti”, u shpreh Rama.

Ai këmbënguli se në Shqipëri nuk ekziston asnjë dispozitë në Kodin Penal që parashikon burg për mospagesën e energjisë elektrike. Sipas tij, masat ndëshkuese në këto raste lidhen vetëm me ndërprerjen e furnizimit me energji dhe jo me heqjen e lirisë.

Nga ana tjetër, Rama theksoi se ndërtimi pa leje është i përcaktuar qartë si vepër penale në legjislacionin shqiptar dhe mund të ndëshkohet edhe me burg, në varësi të rrethanave dhe shkallës së shkeljes.

Sipas kryeministrit, ky është një rast që konsiderohet vepër penale në flagrancë dhe parashikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Kodi Penal, ndryshe nga pretendimet se qytetarët mund të përfundojnë në burg vetëm për mospagesë të faturave të energjisë elektrike.

Debati gjatë konferencës:

Pyetja:
“Keni deklaruar se ka burg për ata që nuk paguajnë energjinë elektrike, ata që ndërtojnë pa leje etj. Pse në rastin e Belinda Ballukut i thatë jo burgut dhe u kujtuat për standardet që referon BE dhe pse mbahet ky standard i dyfishtë?”

Rama:
“Tani, nëse do më gjeni një herë se jetojmë në një kohë kur gënjeshtra duke u përsëritur bëhet e vërtetë. Unë nuk kam thënë kurrë burg për ata që nuk paguajnë dritat dhe askush kurrë në historinë e këtij vendi nuk ka shkuar burg për këta. Unë kam thënë burg për ata që vjedin dritat. Dritat duhet të priten si në çdo vend të botës dhe kjo ka ndodhur.

(Përplaset me gazetaren) Rama: Unë besoj që kur jemi në kushtet që mitingu zhvillohet rregullisht këtu poshtë, shko atje poshtë. Këtu nuk është për miting, këtu ka pyetje dhe përgjigje, jo debat. Gjëja që ti më kërkon është të jap përgjigjen që do ti. Unë pres me qetësi të mbarojë pyetja jote e gjatë unë kërkoj të çoj deri në fund nëse Qimi ma jep lejen. Nëse Qimi nuk ma jep lejen, atëherë unë jam shumë i keqardhur. Nuk bëj asnjë sulm personal. Pse emri është sulm personal? Jo Çimi, Qimi. Është një tjetër. Unë do merrem me gjithçka që më vjen të merrem se jam aq i lirë sa të gjithë ju që të thoni gjënë që doni. Unë dua fjalën këtu. Unë dua fjalën dhe të jesh e sigurt që do kuptosh në fund që ja fut kot. Pastaj e gjykojnë njerëzit. Si mund t’i kërkohet dikujt të japë përgjigjen që do ti.

Në Shqipëri nuk ka hyrë kurrë në burg një person pse nuk ka paguar dritat. Në burg nuk shkon për diçka që nuk shkruhet në Kodin Penal, nuk ka Kodi Penal normë ku të thuhet mospagesa e dritave të çon në burg. Nuk ka ndodhur. Kanë hyrë në burg persona që kanë vjedhur dritat.

Mospagesat kanë çuar në prerjen e dritave që nuk priteshin kurrë më parë. Por jo burg. Ndërtimi pa leje është i sanksionuar në kodin penal dhe është një vepër penale që ndëshkohet sipas shkallëve, por edhe me heqjen e lirisë, patjetër. Është vepër në flagrancë, është fizikisht e kapshme, e prekshme, nuk është diçka që e thotë një televizor apo një tjetër që është ose nuk është.”

Pas pauzës, konferenca rifilloi dhe komunikimi me gazetarët vazhdoi me pyetje të tjera. Incidenti në fjalë mbeti momenti më i tensionuar i kësaj daljeje publike të kryeministrit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.