Rama thumbon Metën për personalitetet e vaksinuar: Nuk duhet të presim që të ndërrojnë jetë dhe më pas t’u japim dekorime siç bëhet në presidencë
Kryeministri Edi Rama ka bërë një deklaratë për mediat, përpara stadiumit Air Albania ku po vaksinohen aktualisht personalitetet e vendit.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se është një shenjë përkujdesje për këta njerëz.
Rama thumboi edhe presidentin Meta, pasi tha se nuk duhet të presim që të ndërrojnë jetë dhe më pas të mbajmë fjalime dhe dekorime siç bëhet në presidencë.
“Siç e patë sot kemi nisur me të moshuarit mbi 80-vjeç me një grup mbi 80 personash, ku janë pjesë të moshuar shumë të njohur dhe një pjesë tjetër të moshuar të sjellë nga mjekët e familjes. Nëse bëjmë një llogari me dozat që kemi deri tani është një llogari tjetër me atë që mund të bëhet me dozat që do të vijnë. Më vjen shumë keq që disa pseudo personalitete që kanë akses në media dhe portale, që në mënyrën më çnjerëzore përhapën një tym krejtësisht të panevojshëm. Sepse e para të gjithë këta persona që u vaksinuan sot janë në moshën mbi 80-vjeç dhe nisi me një numër mjaft simbolik.
Është një shenjë përkujdesje për këta njerëz që nuk duhet të presim që të ndërrojnë jetë dhe më pas të mbajmë fjalime dhe dekorime siç bëhet në presidencë.
Nuk do të zbritet më poshtë pa përfunduar kjo kategori e moshës. Do të fillojmë me më të moshuarit dhe pastaj për të gjitha kategoritë me radhë. Do të përfundojmë vaksinimin e plotë të mjekëve dhe infermierëve dhe më pas do të bëjmë çdo gjë për të siguruar dhe dozat e tjera. Jemi besimplotë që do të arrijmë ambicien tonë të vaksinimit të plotë të popullsisë në 14 muaj”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka bërë një vizitë në stadiumin Air Albania, ku po vaksinohen personalitetet mbi 80-vjeç.
Rama përshëndeti disa prej tyre, ndër to edhe ish-presidentin Alfred Moisiu.
Pjesë nga biseda:
Rama-Moisiut: Gjigant si je mirë?
Moisiu: Mirë!
Rama: Do të ulesh pak se është procesi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



