Çim Peka
Zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj në Shqipëri ishin një krim i paralajmëruar. Në një rast të paprecedent, partitë e spektrit të qendrës së djathtë në Evropë dhe në botë, miratuan katër rezoluta ku evidentohej Shqipëria si një narko-shtet; ku zgjedhjet manipuloheshin dhe vidheshin; dhe ku parimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme kishte humbur si koncept. Këto rezoluta bënin thirrje për krijimin e një qeverie teknike, e cila do të siguronte zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pavarësisht gjuhës së ashpër të rezolutave, presioni ndërkombëtar nuk ishte i mjaftueshëm për të detyruar një qeveri teknike. Ashtu siç pritej, zgjedhjet u manipuluan dhe krimi i organizuar luajti një rol vendimtar.
Tri ditë pas këtyre zgjedhjeve, Komuniteti Politik Evropian, një strukturë joinstitucionale, e cila përpiqet të mbajë të angazhuara vendet, të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, mbajti në Tiranë samitin e radhës. Ndërkohë që liderët e demokracive perëndimore diskutonin në Tiranë fatin e Evropës dhe demokracisë, qeveria e Edi Ramës nxitonte të miratonte një vendim qeverie për krijimin e ‘policisë qytetare’. Me këtë vendim, qeveria shqiptare mbyll ciklin për kontrollin e plotë të shtetit, shoqërisë dhe qytetarëve. Asgjë më tepër nuk ka bërë Nicolas Maduro në Venezuelë sesa Edi Rama në Shqipëri. Të dy sistemet nuk janë vetëm të ngjashme, ato janë identike. Madje Shqipëria është edhe më e sofistikuar se Venezuela në kontrollin e votës.
Arrestimi i udhëheqësve të opozitës me akuza false; kontrolli mbi gjyqësorin për të dënuar kundërshtarët politikë dhe për të mos hetuar korrupsionin qeveritar; presioni dhe përdorimi i administratës publike për të kontrolluar votën; databaza shtetërore e e-Albania, e cila përmban të gjitha të dhënat për qytetarët i është dhënë partisë në pushtet për ta përdorur atë në procesin e patronazhimit politik të votuesve; po ashtu databaza e emigrantëve të regjistruar për të votuar i është vënë në dispozicion Partisë Socialiste në pushtet për ta përdorur në mënyrë që të influencojë mbi votën e emigrantëve; përdorimi i të gjitha resurseve dhe institucioneve shtetërore, duke përfshirë edhe ato të sigurisë, në funksion të partisë në pushtet; përdorimi i grupeve të trafikut ndërkombëtar të drogës si shtabe elektorale të partisë në pushtet në të gjitha rajonet e vendit. Të gjitha këto nuk kanë ndodhur në Venezuelë, por në Shqipëri, një vend evropian, anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Qeveritë e Italisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë ose kanë bërë marrëveshje me qeverinë e Edi Ramës për të pranuar emigrantë të paligjshëm, ose janë në proces negociatash. Është kjo arsyeja që Evropa mbyll sytë jo vetëm para masakrës elektorale, shkatërrimit të shtetit të së drejtës, kapjes së mediave dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut, por edhe krijimit të një narko-diktature.
Ndërkohë që Evropa ka bërë zgjedhjen e saj, shpresa e vetme për shqiptarët mbeten Shtetet e Bashkuara. Pothuajse tre jave pas zgjedhjeve, Uashingtoni zyrtar akoma nuk e ka uruar Edi Ramën për të ashtuquajturën fitoren e mandatit të katërt. E vendosur para një presioni publik, ambasada amerikane në Tiranë zgjodhi rrjetin social të Instagramit për të dhënë një deklaratë që nuk thoshte asgjë. Ajo përgëzonte popullin shqiptar për zgjedhjet dhe shprehte vullnetin për të punuar me Shqipërinë. Në të njëjtën kohë, Departamenti i Shtetit dhe Sekretari Rubio priti një delegacion të opozitës venezueliane duke u dhënë atyre mbështetjen e qeverisë së SHBA, ajo akoma nuk ka formësuar një qëndrim për Shqipërinë. Edhe pse është evidente se marrëdhëniet midis Edi Ramës dhe administratës së Presidentit Trump kanë një ngërç, shqiptaret presin më shumë. Shqiptarët u ngritën në vitin 1990 për të rrëzuar komunizmin me sytë dhe shpresën tek SHBA; edhe sot ata shohin nga SHBA me shpresë se ato nuk do të lejojnë një vend anëtar të NATO-s dhe aleat të SHBA-ve të rrëshqasin në narko-diktaturë. Shqiptarët presin që së paku SHBA-të të mbajnë të njëjtin standard si me Venezuelën.