Revolta e qytetarëve nuk ndalet, sot dita e 82-të e protestës
Protesta kundër qeverisë dhe klasës politike vijon edhe sot në Tiranë, me qytetarët që pritet të mblidhen për të 82-ën ditë radhazi në kryeqytet.
Protestuesit do të rikthehen në qendër të Tiranës dhe, ashtu si në ditët e mëparshme, tubimi pritet të përqendrohet përpara godinës së Kryeministrisë. Organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë paralajmëruar vijimin e aksionit qytetar, ndërsa retorika kundër qeverisë mbetet e fortë.
Protesta e 81-të, qytetarët marshuan nga “Skënderbej” drejt Kryeministrisë
Një ditë më parë, gjatë protestës së 81-të, qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për t’u nisur më pas në marshim drejt Kryeministrisë.
Gjatë tubimit u dëgjuan një sërë thirrjesh kundër qeverisë dhe figurave kryesore të politikës shqiptare.
“Rama në burg, Berisha në burg”, “Edi Rama jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Poshtë patronazhistët” dhe “Shqipëria kërkon revolucion” ishin disa prej sloganeve të përsëritura nga protestuesit.
Tubimet kanë vijuar prej 82 ditësh, duke u kthyer në një prej aksioneve më të gjata të protestës qytetare të zhvilluara në Tiranë gjatë kësaj periudhe.
Protestuesit i drejtohen Parlamentit Europian
Gjatë protestës së 81-të u bë publik edhe një tjetër zhvillim. Grupi koordinator i protestave ka informuar se i është drejtuar me një letër Parlamentit Europian dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.
Sipas përfaqësuesve të protestës, qëllimi i kësaj nisme është që tubimet e zhvilluara në Tiranë dhe mënyra e reagimit të autoriteteve ndaj tyre të monitorohen nga institucione ndërkombëtare.
Protestuesit pretendojnë se një mbikëqyrje e tillë do të ndihmonte në shmangien e rasteve të dhunës policore, arrestimeve që ata i konsiderojnë arbitrare dhe formave të tjera të presionit ndaj pjesëmarrësve në protesta.
Paralajmërohet një valë e re protestash në shtator
Ndërkohë, protestuesit kanë paralajmëruar se përfundimi i sezonit veror mund të shënojë nisjen e një faze të re të mobilizimit qytetar.
Një prej aktivistëve deklaroi se me rikthimin e qytetarëve në Tiranë gjatë muajit shtator pritet që protestat të marrin një tjetër intensitet. Ai nuk përjashtoi as mundësinë e kalimit drejt mosbindjes civile, nëse qeveria, sipas tij, nuk do të reflektojë ndaj kërkesave të protestuesve.
“Me shtatorin, kur shumë rikthehen në Tiranë dhe me skandalet që qeveria na nxjerr në shesh, shqiptarët do të rikthehen fuqimisht. Besoj se do të shkojmë drejt mosbindjes civile për arsye të mosreflektimit të qeverisë”, u shpreh aktivisti.
Kështu, ndërsa sot zhvillohet dita e 82-të e protestës, vëmendja e protestuesve duket se po zhvendoset edhe drejt muajve të ardhshëm, me paralajmërime për një përshkallëzim të aksionit qytetar dhe një mobilizim më të gjerë në Tiranë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



