Revolta nuk ndalet, sot dita e 41-të e protestës së qytetarëve
Sot në Tiranë zhvillohet protesta e 41-të qytetare kundër qeverisë, një mobilizim që organizatorët e konsiderojnë si vazhdim të lëvizjes më të gjatë qytetare të viteve të fundit. Mijëra pjesëmarrës pritet t’i bashkohen tubimit, duke përsëritur kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe për një ndryshim të thellë të klasës politike në vend.
Sipas organizimit të paralajmëruar, qytetarët do të mblidhen fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas me një marshim drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të mbahet tubimi qendror dhe do të adresohen mesazhet kryesore të protestës.
Përveç kërkesave drejtuar qeverisë, protestuesit kanë artikuluar vazhdimisht edhe pakënaqësinë ndaj klasës politike në tërësi. Gjatë protestave të mëparshme janë dëgjuar thirrje si “Rama në burg, Berisha në burg”, të cilat, sipas pjesëmarrësve, shprehin kërkesën për përgjegjësi politike dhe ligjore për figurat kryesore të jetës publike.
Me zhvillimin e saj për të 41-ën herë radhazi, kjo lëvizje konsiderohet nga organizatorët si protesta më jetëgjatë dhe ndër më të mëdhatë qytetare të zhvilluara në Shqipëri në periudhën pas rënies së regjimit komunist.
Lëvizja nisi fillimisht si një reagim kundër projektit për ndërtimin e një resorti në zonën e Zvernecit, por me kalimin e javëve është shndërruar në një protestë me karakter më të gjerë, duke përfshirë kërkesa që lidhen me qeverisjen, luftën kundër korrupsionit, transparencën institucionale dhe ndryshimin e sistemit politik. Pjesëmarrësit shprehen se synojnë të mbajnë të pandryshuar presionin qytetar deri në adresimin e kërkesave të tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



