Revolta vijon pa u ndalur, sot dita e 39-të e protestës
Protesta qytetare përpara godinës së Kryeministrisë vijon edhe këtë të martë, duke shënuar ditën e 39-të radhazi të mobilizimit. Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje, ndërsa protestuesit pritet të mblidhen sërish në bulevard për të përsëritur kërkesat që, sipas tyre, mbeten të pandryshuara që prej fillimit të lëvizjes.
Aksioni protestues, i cili nisi fillimisht si kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec, është zgjeruar me kalimin e javëve në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë. Pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e kabinetit qeveritar dhe ndryshime të thella në sistemin politik të vendit.
Edhe gjatë tubimit të sotëm pritet të dëgjohen sloganet që kanë shoqëruar protestat gjatë javëve të fundit, ndërsa organizatorët kanë ritheksuar se qëllimi i tyre mbetet zhvillimi i një proteste paqësore dhe qytetare.
Në deklaratat e mbajtura një ditë më parë, përfaqësues të protestuesve përsëritën se kërkesat kryesore konsiderohen të panegociueshme. Mes tyre renditen dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë, krijimi i një qeverie teknike tranzitore, reformimi i sistemit politik si edhe rishikimi i legjislacionit që, sipas tyre, favorizon interesa klienteliste.
Gjatë fjalimeve në podium u ngritën gjithashtu akuza për përdorimin e fondeve publike në lidhje me organizimin e koncertit të Kanye West në Tiranë. Në të njëjtën kohë, organizatorët njoftuan se më 11 korrik do të zhvillohet një protestë kombëtare, në datën kur është planifikuar edhe koncerti.
Sipas organizatorëve, vazhdimësia e protestës për më shumë se një muaj tregon se pakënaqësia qytetare mbetet e lartë dhe se lëvizja ka hyrë në një fazë të re të qëndresës. Ata kanë deklaruar se mobilizimi do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Edhe këtë pasdite, bulevardi përballë Kryeministrisë pritet të jetë sërish pikëtakimi i protestuesve, të cilët kanë paralajmëruar vazhdimin e tubimeve në ditët në vijim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



