E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rikthime, largime dhe surpriza, çfarë po ndodh në ekranet shqiptare
Lajme

Rikthime, largime dhe surpriza, çfarë po ndodh në ekranet shqiptare

Shtatori pritet të sjellë një sërë ndryshimesh në televizionet shqiptare, me lëvizje të rëndësishme mes moderatorëve, autorëve dhe formateve që do të rikthehen në ekran.

Disa prej emrave më të njohur do të vijojnë angazhimet e tyre, ndërsa të tjerë pritet të ndryshojnë televizion, program apo rol. Në disa raste bëhet fjalë për lëvizje të konfirmuara, ndërsa për të tjera ende priten njoftimet zyrtare.

Një prej formateve që rikthehet në ekran është “Big Brother VIP Albania”. Producentja Sara Hoxha ka konfirmuar vazhdimësinë e reality show-t përmes një reagimi në rrjetet sociale. Deri tani, Ledion Liço mbetet emri më i përfolur për drejtimin e spektaklit, ndërsa Alketa Vejsiu nuk pritet të jetë pjesë e këtij edicioni.

Arbana Osmani qëndron te “Ferma VIP”

Një prej zërave më të përhapur gjatë merkatos televizive lidhej me një kalim të mundshëm të Arbana Osmanit në Top Channel dhe një zëvendësim të saj nga Bora Zemani në “Ferma VIP”.

Ky skenar nuk pritet të realizohet. Arbana Osmani do të vijojë drejtimin e “Ferma VIP” edhe për një sezon tjetër dhe përgatitjet për formatin kanë nisur tashmë me stafin.

Në të njëjtën kohë, Bora Zemani nuk pritet të ketë një program të ri në ekran në fillim të sezonit. Moderatorja nuk po largohet nga Top Channel, por aktualisht nuk ka marrë përsipër drejtimin e një formati të ri.

Vëmendjen e saj duket se po e përqendron te marka e saj e veshjeve, “Zeman”.

Rikthimi i Agron Llakajt dhe ndryshimet në “Portokalli”

Një nga lëvizjet më të bujshme pritet të jetë rikthimi i Agron Llakajt në Top Channel.

Llakaj pritet të largohet nga Vizion Plus dhe të rikthehet në “Portokalli”, ku mund të marrë drejtimin e spektaklit në vend të Salsano Rrapit.

Edhe Xhemi Shehu pritet të mbetet pjesë e “Portokalli”, por këtë herë në një tjetër rol, si aktore.

Ndërkohë, në Vizion Plus do të ketë ndryshime të tjera. Syrjan Rahova, i cili drejtonte “Mesditë”, është larguar nga ekrani, ndërsa rikthimi i Fjodora Fjorës pritet të jetë një prej zhvillimeve të sezonit të ri.

Çfarë ndodh me “Fiks Fare”?

“Fiks Fare” është një tjetër prej programeve që pritet të kalojë në një fazë të re.

Pas largimit të Filip Çakullit, i cili ishte pjesë e programit për 25 vite, formati pritet të rikonceptohet.

Në kuadër të ndryshimeve është përfolur edhe largimi i Xhemi Shehut dhe Jul Dedës nga drejtimi i emisionit. Për momentin, këto lëvizje mbeten në kuadër të raportimeve që pritet të marrin formë përfundimtare me nisjen e sezonit.

Luana Vjollca, rikthim në Top Channel?

Një tjetër emër që është rikthyer në diskutimet e merkatos televizive është Luana Vjollca.

Ajo është përfolur për një rikthim në Top Channel me formatin “Shiko kush luan”. Sinjalet për një bashkëpunim të ri u dhanë që në sezonin e kaluar, kur moderatorja ishte e ftuar në “Goca dhe Gra”.

Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar se marrëveshja për rikthimin e saj është finalizuar.

Grida Duma nuk largohet nga televizioni

Edhe emri i Grida Dumës është përfshirë në lëvizjet e përfolura gjatë kësaj vere.

Në rrjetet sociale janë shpërndarë zëra se ajo mund të largohej nga televizioni për t’iu bashkuar qeverisë si zëvendëskryeministre. Megjithatë, Duma vijon përgatitjet për sezonin e ri në Top Media, ku pritet të rikthehet me “Top Story” dhe “Podcast nga Grida Duma”.

Selin Bollati drejt Top Channel

Fituesja e edicionit të fundit të “Big Brother VIP Albania”, Selin Bollati, pritet të bëjë një tjetër lëvizje në karrierën televizive.

Bollati pritet të largohet nga TV Klan dhe t’i bashkohet Top Channel, ku mund të jetë pjesë e panelit të “Goca dhe Gra”.

Në këtë format nuk pritet të jetë Sherina Spahiu. Ajo ka bërë të ditur në rrjetet sociale se nuk do të shfaqet në ekran gjatë sezonit të ri.

Ndryshime edhe në “Për’puthen”

Një tjetër program që pritet të rikthehet me një formulë të ndryshuar është “Për’puthen”.

Megi Pojani dhe Neda Balluku nuk pritet të vazhdojnë si autore të programit. Autorësia pritet t’i besohet Ronaldo Sharkës, ndërsa Heidi Baci përflitet si emri që mund të marrë drejtimin e formatit.

Për panelin e opinionistëve janë përmendur Erjola Doçi dhe Arjan Konomi.

Ndryshime priten edhe në programin e paradites “Në Shtëpinë Tonë”, ku Julka Gramo nuk do të vazhdojë si moderatore.

Lëvizjet në televizionet e tjera

Merkatoja nuk kufizohet vetëm te Top Channel dhe Vizion Plus.

Bora Shahini ka njoftuar largimin nga A2 CNN, ndërsa në vendin e saj pritet të jetë Anila Çela.

Kjo e fundit ka mbyllur drejtimin e “Vila 24” në News24. Programi pritet të rikthehet në sezonin e ri me Valbona Mhillin në rolin e moderatores.

Me afrimin e shtatorit, panorama e ekranit shqiptar po merr gjithnjë e më shumë formë. Disa prej lëvizjeve tashmë janë konfirmuar nga vetë personazhet, ndërsa për emrat dhe ndryshimet e tjera priten njoftimet zyrtare të televizioneve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.