Rrëmbyen dhe dhunuan 27-vjeçarin, 2 të arrestuar, 3 në kërkim
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, përmes Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, ka finalizuar operacionin e koduar “Kufizimi”, duke kapur dy persona dhe shpallur në kërkim tre të tjerë, të dyshuar për përfshirje në rrëmbim dhe dhunim të një 27-vjeçari.
Ngjarja ndodhi kur 27-vjeçari u mbajt i detyruar për disa orë në një apartament dhe u dhunua fizikisht, me qëllim që të dorëzonte 5,000 euro. Falë veprimeve të shpejta të policisë, u identifikuan pesë të dyshuarit: shtetasit L. K., 24 vjeç dhe A. N., 24 vjeç, të cilët u vunë në pranga, si dhe K. N., 23 vjeç, M. M., 21 vjeçe dhe S. C., 25 vjeçe, të cilët shpallen në kërkim.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e babait të njërit prej të arrestuarve, 60-vjeçarit A. K., u sekuestrua një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Policia sekuestroi gjithashtu 5,000 euro të dyshuara të marra nga viktima, gjashtë celularë dhe një automjet. Hetimet e kryera me metoda proaktive tregojnë se të pesë të dyshuarit bashkëpunuan për të marrë paratë nga 27-vjeçari dhe e kanosën sërish për një shumë tjetër parash.
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë/Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni i koduar “Kufizimi”.
I hoqën lirinë për disa orë, një 27-vjeçari, dhe e dhunuan fizikisht atë, në një apartament, që t’iu jepte 5000 euro, identifikohen 5 shtetas. Vihen në pranga 2 prej tyre, shpallen në kërkim 3 bashkëpunëtorët.
Vihet në pranga dhe babai i njërit prej të arrestuarve, pasi iu gjet në banesë, 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Sekuestrohen pistoleta, 5000 euro, 6 celularë dhe 1 automjet.
Menjëherë pas njoftimit se një shtetasi i ishte hequr liria dhe ishte dhunuar, me qëllim dhënien e një shume parash, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, ka organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale të shërbimeve të Policisë, në kuadër të operacionit “Kufizimi”, u identifikuan 5 autorët e dyshuar të rastit, u kapën dhe u vunë në pranga 2 prej tyre, shtetasit L. K., 24 vjeç dhe A. N., 24 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim 3 bashkëpunëtorët, shtetasit K. N., 23 vjeç, M. M., 21 vjeçe dhe S. C., 25 vjeçe.
Nga hetimet e kryera me metoda proaktive dyshohet se këta 5 shtetas kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për t’i marrë para, 27-vjeçarit. Shtetasit L. K., M. M. dhe K. N. i kanë hequr lirinë, për disa orë, 27-vjeçarit, dhe e kanë dhunuar fizikisht atë, në ambientet e një apartamenti. Pasi 27-vjeçari iu ka dhënë 5000 euro, ata e kanë kanosur sërish atë, që t’iu jepte një shumë tjetër parash.
Në vijim të operacionit, u krye kontroll në banesën e shtetasit A. K, 60 vjeç, (babai i shtetasit L. K.), ku u gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjatë kontrollit në dhomën ku qëndronte shtetasi L. K. u gjetën 5000 euro (dyshohet shuma e parave që i ishte marrë 27-vjeçarit).
Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurosisë, për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



