Rrëzohet amendamenti i Braçes, deputeti nuk voton dy pr.ligje
Tensione e debate mes socialistëve në seancën maratonë
Në një seancë maratonë që u mbyll rreth orës 03:30 të mëngjesit, mazhoranca socialiste miratoi me 85 vota pro aktin normativ për ndryshimet në buxhetin e shtetit, si edhe amendimet në dy ligje të Reformës në Drejtësi, të cilat kërkonin shumicë të cilësuar.
Edhe pse kryeministri Edi Rama mungonte në sallë, socialistët arritën të sigurojnë numrin e nevojshëm të votave falë mbështetjes së Partisë Socialdemokrate, duke kaluar pragun minimal prej 84 votash.
Me të njëjtin rezultat, Kuvendi miratoi edhe ndryshimet në Kodin Penal, por ky votim u shoqërua me tensione brenda radhëve të mazhorancës. Deputeti Erion Braçe u përplas sërish me kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, pas debatit të mëhershëm gjatë diskutimeve për aktin normativ të buxhetit.
Braçe paraqiti një amendament që synonte ashpërsimin e masave ndaj personave që shesin produkte duhani dhe cigare elektronike fëmijëve nën moshën 18 vjeç. Sipas propozimit të tij, kjo shkelje do të dënohej me gjobë deri në 300 mijë lekë ose me burgim deri në 6 muaj, në rastet kur më parë është aplikuar vetëm masë administrative.
“Amendamenti synon kriminalizimin e shitjes së produkteve të duhanit dhe cigareve elektronike për të miturit”, u shpreh Braçe gjatë fjalës së tij në Kuvend.
Pas tij, Taulant Balla sqaroi se paketa e ndryshimeve në Kodin Penal ishte dakordësuar pikë për pikë me Komisionin Europian dhe se për amendamentin e propozuar nga Braçe nuk ishte marrë miratim paraprak nga Delegacioni i BE-së. Ai i kërkoi deputetit socialist që ta tërhiqte nismën dhe ta rikthente për shqyrtim në një moment tjetër, propozim që Braçe e refuzoi.
“Në emër të grupit parlamentar të PS, ne mbështesim çdo iniciativë të kësaj natyre, por kemi përpara një paketë të negociuar gërmë për gërmë me Komisionin Europian. Nuk është serioze të ndryshojmë sot për nesër pa konfirmimin e tyre”, deklaroi Balla, duke u bërë thirrje deputetëve socialistë të abstenonin nëse amendamenti nuk tërhiqej.
Si pasojë, 82 deputetë socialistë abstenuan në votimin për amendamentin e Braçes, i cili mori vetëm dy vota pro.
Në vijim të seancës, Braçe nuk mori pjesë në votimin e ligjit për importin e armëve dhe atij për lobimin. Në rastin e ligjit të lobimit, ai nuk ishte i vetmi, pasi edhe deputeti Fatmir Xhafaj nuk mori pjesë në votim.
Rezultatet e votimeve në seancë
-
Akti normativ nr. 11, datë 19.12.2025, për ndryshimet në ligjin e buxhetit 2025
85 pro, 0 abstenim, 10 kundër -
Marrëveshja Shqipëri–Itali për bashkëpunimin strategjik
85 pro, 0 abstenim, 0 kundër -
Aderimi në Traktatin për Pronësinë Intelektuale
85 pro, 0 abstenim, 0 kundër -
Vendimi nr. 5/2024 i CEFTA-s për pronësinë intelektuale
84 pro, 0 abstenim, 0 kundër -
Vendimi nr. 6/2024 i CEFTA-s për tregtinë e shërbimeve turistike
85 pro, 0 abstenim, 0 kundër -
Protokolli për ndalimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit
85 pro, 0 abstenim, 0 kundër -
Ndryshimet në Kodin Penal
Votimi në parim: 85 pro, 10 kundër
Amendamenti i Braçes: 2 pro, 82 abstenim
Votimi në tërësi: 85 pro, 9 kundër -
Nisma e Jorida Tabakut për Kodin Penal
10 pro, 1 abstenim, 82 kundër -
Ndryshimet në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve
85 pro, 10 kundër -
Ndryshimet në ligjin për organet e qeverisjes së drejtësisë
85 pro, 10 kundër -
Ligji për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje
85 pro, 1 abstenim, 0 kundër -
Ligji për lobimin
83 pro, 10 kundër -
Ligji për importin dhe eksportin e armëve
84 pro, 10 kundër -
Ndryshimet për Komisionet Hetimore
85 pro, 10 kundër -
Ndryshimet në ligjin për Mediat Audiovizive
85 pro, 1 kundër
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



