E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rrëzohet kërkesa për ngritjen e Komisionit Hetimor për “KAYO-n”
Lajme

Rrëzohet kërkesa për ngritjen e Komisionit Hetimor për “KAYO-n”

Mazhoranca socialiste ka votuar kundër kërkesës së Partisë Demokratike për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimtarinë e kompanisë shtetërore “KAYO”.

Çështja është diskutuar në Konferencën e Kryetarëve, ku kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, ka argumentuar se kërkesa e paraqitur nga opozita nuk përmbush kriteret kushtetuese dhe ligjore për ngritjen e një komisioni të tillë.

Nisma e demokratëve vjen pas pretendimeve të ngritura publikisht për aktivitetin e KAYO-s, por edhe pas publikimit të disa audiopërgjimeve nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, në të cilat janë hedhur pretendime për çështje që lidhen me trafikun e armëve.

Në Konferencën e Kryetarëve, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi që aktiviteti i kompanisë të bëhet objekt i një hetimi parlamentar, duke e fokusuar kërkesën te përdorimi i fondeve publike, kontratat dhe marrëdhëniet e KAYO-s me subjektet private.

Sipas Bardhit, kompania ka shpenzuar rreth 34 milionë euro nga buxheti i shtetit, ndërsa opozita, sipas tij, nuk ka marrë informacionin e kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes lidhur me mënyrën e përdorimit të këtyre fondeve.

“Janë shpenzuar 34 milionë euro. Kështu na thatë edhe për inceneratorët, por doli që paratë digjeshin në shesh. Kemi kaq kohë që kërkojmë informacion në Ministrinë e Mbrojtjes. Nuk jepet informacion. Refuzon ministri dhe për këtë i jam drejtuar Kryetarit të Kuvendit.”

Bardhi argumentoi se pikërisht mungesa e informacionit e bën, sipas tij, të nevojshëm ngritjen e një komisioni hetimor.

“Çfarë duhet të bëjmë ne, të futemi në ministri dhe të marrim dokumentatat? Për këtë arsye duhet komisioni hetimor, sepse ai i nënshtrohet Kodit Penal nëse nuk jepet informacion.”

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së tha se opozita kërkon të verifikojë kontratat e lidhura nga kompania shtetërore dhe mënyrën se si janë zhvilluar marrëdhëniet me partnerët privatë.

Një prej pikave të ngritura prej tij lidhet me Ron Yefet, për të cilin Bardhi kërkoi informacion mbi përvojën profesionale dhe mënyrën se si është përzgjedhur si partner në aktivitetin e KAYO-s.

“Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër, veç të mësojmë dhe të njohim kontratat e lidhura mes një kompanie shtetërore me kompaninë private. Si e gjeti KAYO individin Ron Yefet? Cila është CV-ja që ka ky njeri, veç faktit që është mik i Edi Ramës?”

Bardhi ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi fondet e përmendura prej tij dhe kërkoi që opozita të ketë mundësi të shqyrtojë dokumentacionin përkatës.

“Si përfiton ky njeri në vetëm 6 muaj 34 milionë euro? Ne jemi të hapur për objektin e hetimit. Na thoni çfarë doni të rregullojmë.”

Në përfundim, Bardhi kundërshtoi argumentin se ngritja e komisionit hetimor kërkon miratimin e mazhorancës, duke iu referuar të drejtës së parashikuar nga Kushtetuta për hetimin parlamentar.

“Ngritja e komisionit hetimor nuk ka nevojë për lejen tuaj, këtë na e jep Kushtetuta. Ne mund vetëm të diskutojmë objektin e hetimit”, deklaroi Gazment Bardhi.

Përplasja në Konferencën e Kryetarëve tashmë e vendos çështjen e KAYO-s në qendër të debatit parlamentar, me opozitën që kërkon hetim dhe transparencë mbi aktivitetin financiar e kontraktual të kompanisë, ndërsa mazhoranca e ka kundërshtuar nismën me argumentin se kërkesa nuk plotëson kriteret kushtetuese dhe ligjore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.