Rritja e karburantit rrit edhe biletat, qytetari: Të dalim me mushkë tani!

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Rritja e çmimeve të karburantit po reflektohet drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve, këtë herë përmes shtrenjtimit të transportit publik në Qarkun Dibër. Linjat ndërqytetase janë ndër më të prekurat, duke sjellë një barrë të re financiare për banorët e zonës.

Sipas të dhënave të fundit, bileta për linjën PeshkopiTiranë është rritur nga 500 në 600 lekë. E njëjta prirje vihet re edhe në linjën Bulqizë–Tiranë, ku çmimi ka kërcyer nga 300 në 400 lekë. Ndërsa për linjën Burrel–Tiranë, qytetarët tashmë paguajnë 500 lekë nga 400 që ishte më parë.

Këto rritje po ndikojnë ndjeshëm në buxhetet familjare, sidomos për shtresat më të ndjeshme. Pensionistët dhe familjet që mbështeten në ndihmë ekonomike janë ndër më të goditurit, pasi përballen me kosto më të larta pa pasur rritje të të ardhurave.

Reagimet e qytetarëve tregojnë qartë vështirësinë në përballimin e situatës. “Është rritur bileta 1 mijë lekë. S’kemi si paguajmë. Se nuk kemi. Jemi burrë e grua, vetëm pensioni. Vetëm me marrë mushkën tani!”, tha një banor.

Ndërkohë, rritje çmimesh janë evidentuar edhe në transportin nga zonat rurale drejt qendrave urbane, megjithëse në nivele më të moderuara krahasuar me linjat kryesore.

Qytetarët kërkojnë ndërhyrje nga institucionet për të lehtësuar barrën ekonomike, përmes subvencioneve apo politikave mbështetëse, në një kohë kur kostoja e jetesës vijon të rritet.

Publikuar nga Publik Media