Taksistët në protestë, ultimatum qeverisë: Ulni taksat dhe frenoni licencat!
Shoferët e taksive kanë protestuar këtë të mërkurë në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për zgjidhjen e problematikave që, sipas tyre, po rëndojnë gjithnjë e më shumë aktivitetin e këtij sektori.
Protesta është organizuar nga Sindikata e Transportit Taksi, e cila ngre shqetësimin për mungesën e reagimit institucional ndaj kërkesave të paraqitura prej kohësh nga përfaqësuesit e këtij profesioni.
Sekretari i Përgjithshëm i Sindikatës së Punonjësve të Transportit të Shqipërisë, Gëzim Karanxha, ka renditur disa prej problemeve kryesore me të cilat përballen taksistët. Ndër to janë numri i lartë i licencave të dhëna, barra fiskale, çmimi dhe cilësia e karburantit, si dhe mungesa e hapësirave të posaçme ku automjetet taksi mund të qëndrojnë dhe të marrin pasagjerë.
Kufizim të licencave dhe masa ndaj taksive të palicencuara
Një prej kërkesave kryesore të protestuesve është vendosja e rregullave më të forta për licencimin e shërbimit taksi. Sipas sindikatës, numri i licencave duhet të përcaktohet në raport me popullsinë, në mënyrë që tregu të mos mbingarkohet dhe konkurrenca mes operatorëve të zhvillohet mbi baza të rregullta.
Taksistët kërkojnë gjithashtu marrjen e masave ndaj automjeteve që ofrojnë shërbime transporti pa pasur licencën përkatëse, si dhe zbatimin e detyrueshëm të tarifave të përcaktuara nga taksimetri.
Në listën e kërkesave përfshihet edhe vendosja e kritereve të qarta për personat që ushtrojnë këtë profesion. Një tjetër çështje që kërkon zgjidhje lidhet me pronësinë e targave, licencave dhe pullave të Bashkisë, të cilat sindikata kërkon të jenë në pronësi të vetë personave që zhvillojnë aktivitetin.
Kërkojnë uljen e çmimit të karburantit dhe subvencione nga shteti
Përtej problematikave të licencimit, një tjetër shqetësim madhor për sektorin mbetet kostoja e lartë e operimit. Përfaqësuesit e sindikatës kërkojnë uljen dhe stabilizimin e çmimit të karburantit, garantimin e cilësisë së tij dhe mbështetje financiare nga shteti përmes subvencioneve.
Sipas tyre, shërbimi taksi duhet të trajtohet si një shërbim publik, çka do të justifikonte edhe ndërhyrjen e institucioneve për lehtësimin e kostove që përballojnë operatorët.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu që shërbimit taksi t’i jepet përparësi në organizimin e qarkullimit rrugor, ndërsa bashkitë të krijojnë më shumë hapësira të dedikuara për qëndrimin e automjeteve.
Përmes protestës në sheshin “Nënë Tereza”, taksistët synojnë të ushtrojnë presion ndaj institucioneve përgjegjëse për të kaluar nga premtimet te masat konkrete, duke paralajmëruar në thelb nevojën për një riorganizim të gjithë tregut të transportit taksi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



