E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rusia, anulon dy koncertet e Kanye West në Shën Petersburg!
Bota

Rusia, anulon dy koncertet e Kanye West në Shën Petersburg!

Rusia rrezikon të hyjë në listën e vendeve të “turpëruara”, të paktën nëse përdoret standardi që kryeministri Edi Rama vendosi pak javë më parë në Shqipëri për koncertin e Kanye West.

Gazprom Arena në Shën Petersburg, ku ishin paralajmëruar dy koncerte të reperit amerikan Ye, i njohur më parë si Kanye West, më 10 dhe 11 tetor, ka deklaruar se eventet nuk mund të zhvillohen në stadium.

Njoftimi erdhi pasi koncertet ishin reklamuar dhe biletat kishin dalë në shitje. Sipas të dhënave të publikuara, kërkesa kishte qenë e lartë dhe një pjesë e biletave ishin shitur menjëherë, përfshirë kategori që arrinin deri në 1 896 dollarë.

Megjithatë, pavarësisht shitjeve, drejtuesit e stadiumit rus u distancuan nga organizimi i koncerteve të artistit, i cili gjatë viteve të fundit ka shkaktuar polemika të forta për deklaratat e tij antisemite dhe shprehjet e simpatisë ndaj nazizmit.

Në Shqipëri ndodhi e kundërta.

Për koncertin e Ye, ku sipas raportimeve një pjesë e konsiderueshme e biletave kishte mbetur e pashitur, qeveria shqiptare ndërhyri financiarisht. Kryeministri Edi Rama e justifikoi ndërhyrjen me nevojën për të shmangur atë që ai e cilësoi si “turpërim” të Shqipërisë përballë mijëra të huajve që kishin blerë bileta.

“4 milionë euro në minutën e fundit, për të mos turpëruar Shqipërinë, në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete që gjer më sot kanë blerë me kohë biletat për Kanye West”, shkruante Rama në Facebook.

Në Rusi, historia duket se po zhvillohet krejt ndryshe. Drejtuesit e Gazprom Arena publikuan një deklaratë duke u distancuar nga koncertet, ndërsa nuk pati ndonjë ndërhyrje publike nga presidenti Vladimir Putin apo Ministria ruse e Kulturës për të garantuar zhvillimin e eventit.

Kontroversat rreth Ye nuk janë të reja. Mbretëria e Bashkuar, Italia, Polonia, Zvicra, Franca dhe vende të tjera kanë bllokuar ose kanë kërkuar kufizimin e koncerteve të tij për shkak të shqetësimeve që lidhen me deklaratat e mëparshme antisemite dhe glorifikimin e figurave naziste.

Në janar, Ye kërkoi falje për sjelljen e tij dhe foli publikisht për problemet e tij të shëndetit mendor.

“Unë nuk jam nazist ose antisemit. Unë i dua njerëzit hebrenj”, shkroi ai.

Nga ana tjetër, agjencia Say, e cila organizon koncertet, deklaroi në Telegram se ishte befasuar nga njoftimi i stadiumit dhe se kishte mësuar lajmin në të njëjtën kohë me publikun.

“Deri më tani, koncerti i Ye nuk është anuluar”, deklaroi agjencia.

Paraqitja e planifikuar në Rusi kishte shkaktuar polemika edhe jashtë vendit, pasi kritikët argumentuan se koncerti shpërfillte frymën e sanksioneve dhe thirrjeve për bojkot kulturor ndaj Moskës.

Brenda Rusisë, politikani Nikolay Novichkov kërkoi që muzikanti të hetohej për deklaratat e tij lidhur me Adolf Hitlerin dhe deklaroi se koncertet duhej të anuloheshin nëse Ye nuk shprehte publikisht “mbështetje morale për Rusinë dhe operacionin special ushtarak”.

Pavarësisht polemikave, Ye vazhdon të tërheqë audienca të mëdha në vendet ku koncertet e tij lejohen. Gjatë muajve të fundit ai ka performuar në SHBA, Turqi, Holandë, Gjeorgji, Shqipëri, Portugali dhe Kazakistan, ndërsa janë paralajmëruar edhe data të tjera në SHBA dhe Indonezi.

Koncertet lidhen me promovimin e albumit të tij të 12-të solo, “Bully”, të publikuar në mars.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.