Sali Berisha shpërthen ndaj Dumanit: Bastard, injorant, i turpshëm
Pas gjashtë orëve të raportimit të kreut të SPAK, Altin Dumani, para Komisionit të Ligjeve në Kuvend, Sali Berisha, kryetar i PD-së, nuk ka kursyer aspak fjalët e ashpra ndaj tij. Gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të PD-së, Berisha ka shpërthyer keq ndaj deklaratave të Dumanit, duke e quajtur atë “injorant”, “i turpshëm” dhe “bastard”.
Berisha ka përmendur një moment të veçantë, kur Dumani pati folur për incidentin e rrethimit të SPAK-ut nga mbështetës të Erion Veliajt gjatë caktimit të masës së arrestit për ish-kryebashkiakun.
“E tha vetë që ata desh e rrahën dhe bënë shumë gabim”, tha Berisha, duke e akuzuar Dumanin si mbështetës të atyre që janë në pushtet.
Kreu i PD-së ka theksuar se “opozita ka të drejtë të protestojë, por as ka protestuar dhe as do protestojë”, duke vazhduar me akuzat ndaj Dumanit për “ushtrimin e pushtetit në mënyrë të njëanshme dhe të pandershme”. Ai shtoi më tej se Dumani është “armik i egër i pluralizmit politik në Shqipëri” dhe se ka mbuluar dosjet më të rëndësishme të krimit, si ato të “dosjes 339” dhe “dosjes 184”.
Në një tjetër sulm ndaj Dumanit, Berisha ka theksuar se ky i fundit ka vepruar në favor të Edi Ramës, duke iu referuar arrestimit të Erion Veliajt për llogari të Kryeministrit.
“Erion Veliajn e arrestuat për llogari të Edi Ramës”, tha Berisha, duke e quajtur këtë një veprim të papranueshëm, që ka ngjallur indinjatë tek qytetarët.
Berisha ka mbyllur me një tjetër goditje ndaj kreut të SPAK, duke thënë: “Ky injorant, i turpshëm. Dhe ankohet se është quajtur kryetar i një organizate kriminale”. Sulmi i tij ka shkaktuar një valë reagimesh, dhe ka tërhequr vëmendjen për shkak të ashpërsisë së fjalëve të përdorura.
“Më falni ë, e kanë rrethuar dhe desh e kanë rrahur dhe kanë bërë shumë gabim. E tha vetë. E rrethoi shteti atë, nuk kemi bërë protesta ne, kurrë. Dhe opozita mund të bëjë protesta, po unë nuk jam për protesta. Problemi i drejtësisë është ky, që kur është krijuar shteti, këtij sistemi i jepet pushtet për ta ushtruar. Nuk është i zgjedhur, por është në ujdinë për ekzistencën e shtetit që ka ligjet, që duhet të ketë edhe sistemin e mbikëqyrjes. Opozita ka të drejtë të protestojë, por as ka protestuar dhe as do protestojë. Kam bërë konferenca shtypi aty vetëm për t’u thënë të vërtetat shqiptarëve. Desh i shtruan në dru, e tha vetë dje, dhe shërbëtori i tyre, po kujt i thotë, me se i justifikon ai, të na thotë pak, dosjen 339 dhe 184? A ka krim më të shëmtuar se ky të mbyllësh ato dosje? I pavarur ky. Ti je një armik i egër i pluralizmit politik në Shqipëri. Je një bastard, një Aranit Çelë në llojin tënd. Prisni një minutë, kemi arrestuar apo kemi bërë 35 zyrtarë. Ndalemi pak. Tre liderët e partive kryesore opozitare. Asnjë zyrtar të partisë së krimit. Erion Veliajn e arrestuat për llogari të Edi Ramës. Atë e ka marrë vesh tani çdo njeri. Dhe nuk kanë turp dhe dalin e flasin. Megjithëse shpesh dje ai u bë gati të largohej se nuk i përballonte dot të vërtetat. Ky injorant, i turpshëm. Dhe ankohet se është quajtur kryetar i një organizate kriminale,” tha Sali Berisha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



