Sali Berisha sot në sfiden më të veshtirë të karrierës
Demokratët i drejtohen këtë të shtunë kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesin e tyre për katër vitet e ardhshme, në një proces që në letër duket si garë, por në praktikë ngjan më shumë me një rit konfirmimi.
Në fletën e votimit shfaqet vetëm një emër: Sali Berisha. Lideri historik i Partisë Demokratike e ka cilësuar këtë moment si një “referendum”, një test besimi mes tij dhe anëtarësisë. Një sfidë, sipas tij, që mat mbështetjen dhe energjinë e strukturave.
Por ironia e situatës qëndron pikërisht këtu: sfida më e vështirë e karrierës politike zhvillohet pa kundërshtar. Një duel ku përballë nuk ka rival, por një pasqyrë. Një garë ku rezultati duket i parashkruar, por forma ruan ritualin e demokracisë.
Procesi i votimit nis në orën 08:00 dhe përfundon në 18:00 në të gjitha degët e Partisë Demokratike në rrethe. Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë votat do të numërohen në vend, në qendrat ku hidhen, ndërsa rezultati pritet të shpallet brenda mbrëmjes.
Në sfond mbetet fakti se gjatë periudhës parazgjedhore, Komisioni i Zgjedhjeve në PD përjashtoi çdo tentativë për garë alternative, duke e kthyer këtë proces në një udhëtim pa kthesa. Një sfidë ku vështirësia nuk qëndron te përballja me të tjerët, por te ruajtja e iluzionit të saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



