Sali, ke perënduar! Zyrtarisht ke pushuar së qeni lajm
Kreut të PD-së kjo nuk i kishte ndodhu kurrë në 35 vite tranzicion
Sot ndodhi diçka që në Shqipëri nuk kishte ndodhur kurrë në 35 vite tranzicion. Sali Berisha doli para mediave… dhe mediat nuk e ndoqën. Ai u ndal, priti refleksin e zakonshëm, pritjen instinktive të kamerave, mikrofonëve, vrapin për një deklaratë. Por asgjë nuk ndodhi. Gazetarët nuk u kthyen. Ai vijoi rrugën, i vetëm, i dëshpëruar.
Nuk ishte një bojkot i organizuar nga kundërshtarët. Nuk ishte një skenar politik. Ishte diçka shumë më e fortë dhe shumë më e rrallë: një vendim intuitiv, pothuajse i pavetëdijshëm i gazetarëve që mbulojnë Partinë Demokratike. Një gjest profesional, spontan, që nuk ka ndodhur asnjëherë në 35 vite.
Për herë të parë, Sali Berisha nuk ishte më interes publik.
Për dekada, ai ka qenë violinë e parë e politikës shqiptare. Dirigjenti i debatit, njeriu që bënte lajm edhe kur heshtte, lideri që caktonte axhendën publike vetëm me praninë e tij. Sot, për herë të parë, prozhektorët nuk ishin mbi të.
Mbyllja e mbledhjes së Kryesisë së PD-së ishte dramatike, jo për atë që u tha brenda, por për atë që ndodhi jashtë. Berisha ndaloi, ashtu siç ka bërë gjithmonë. Priti që të ndodhte ajo që ka ndodhur përherë: kamerat të afroheshin, mikrofonët të zgjateshin, pyetjet të shpërthenin. Por refleksi historik nuk funksionoi më.
Instinkti gazetaresk foli qartë: “Nuk je më lajmi. Nuk je më interesi publik.”
Ky nuk është thjesht një moment personal për Berishën. Është një sinjal epokal për politikën shqiptare. Një epokë nuk mbyllet gjithmonë me duartrokitje apo me përplasje. Ndonjëherë mbyllet në heshtje. Dhe sot, heshtja ishte më e fortë se çdo titull.
Për herë të parë në 35 vite, Sali Berisha foli… dhe askush nuk e dëgjoi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



