Salianji nuk tërhiqet: Dua të mund Ramën, jo që të qajmë sërish
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka paraqitur vizionin e tij për ringritjen e opozitës dhe rrëzimin e qeverisë aktuale. I ftuar në emisionin “Opinion”, ai foli për takimin e zhvilluar me strukturat e PD në Durrës, të cilin e cilësoi si dëshmi të dëshirës së demokratëve për ndryshim të menjëhershëm.
Salianji u shpreh se në aktivitet morën pjesë rreth 500 demokratë, përfshirë drejtuesit kryesorë të degës së Durrësit, nënkryetarë, sekretarë dhe kandidatë të primareve. Të pranishëm ishin edhe figura të njohura të PD-së, si Ilir Alimehmeti, Ndrec Pjetri, Aulon Kalaja dhe Hysen Kadiu.
“Qëllimi im ishte të zgjoj dhe të ripërtërij PD-në. Nuk mund të presim të vijnë zgjedhjet e ardhshme për t’u ankuar sërish. Dua ta mund Edi Ramën. Anëtarësia kërkon reagim, kërkon revoltë, ndërsa ne shpesh mbetemi te foltoret. Anëtarët kërkojnë analizë të thellë, jo justifikime se ‘zgjedhjet janë vjedhur’”, theksoi ai.
I pyetur për ambiciet e tij brenda partisë, Salianji mohoi të synojë ndonjë post drejtues.
“Nuk kërkoj funksion në PD. Kontributin tim e jap sepse dua ta bëj opozitën. Nuk jam i paguar dhe nuk kam interes personal. Për mua çështja u bë personale nga Edi Rama, pasi më dënoi për arsye politike”, u shpreh ai.
Salianji theksoi se lëvizja e tij nuk është kundër askujt brenda PD-së, por një përpjekje për të rikthyer energjinë e munguar dhe për të përgatitur partinë për një betejë reale politike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



