E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Salianji sfidon Berishën: Dilni secili e mblidhni aq njerez sa unë!
Lajme

Salianji sfidon Berishën: Dilni secili e mblidhni aq njerez sa unë!

Përplasja sy më sy në kryesinë e PD

Mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike është shndërruar në një arenë përplasjesh të ashpra mes kreut të PD-së, Sali Berisha, dhe anëtarit të Kryesisë, Ervin Salianji, duke ekspozuar publikisht tensionet dhe krizat e brendshme që po përjeton opozita.

Shkak për debatin fillestar u bënë takimet që Salianji ka zhvilluar në disa qytete me strukturat e PD-së, të cilat Berisha i cilësoi si takime private. Reagimi i Salianjit ishte i menjëhershëm dhe ironik: nëse në takime “private” mblidhen aq shumë njerëz, atëherë sipas tij, kjo vetëm sa i bën mirë PD-së.

“Të dalë secili të mbledhë aq njerëz në çdo zonë dhe ne i mbushim sheshet”, iu përgjigj Salianji Berishës.

Debati u ashpërsua më tej, kur Salianji akuzoi se Kryesia po zhvendos vëmendjen nga skandalet e qeverisë, konkretisht nga afera Rama–Balluku, drejt përplasjeve të brendshme.

“Problemi qenka shqetësimi që kanë demokratët dhe jo vjedhjet e qeverisë. Unë erdha t’i bëjmë gjyqin qeverisë”, u shpreh Salianji, duke paralajmëruar se do të denoncojë këdo që bashkëpunon me mazhorancën.

Në mbledhje ka ndërhyrë edhe Bledi Himçi, i cili ka hedhur akuza të drejtpërdrejta për çështjen e firmave për Endri Shabanin, duke deklaruar se vetë Berisha ka qenë iniciatori i mbledhjes së tyre, ndërsa më pas ka akuzuar deputetët që i kanë firmosur në mirëbesim.

“Nuk mund të qëndrojnë në PD edhe demokrati idealist, edhe pazarexhiu”, u shpreh Himçi, duke thelluar ndarjet brenda partisë.

Përplasja kulmoi kur në diskutim u përfshi edhe emri i ish-kreut të PD-së në Kavajë, Hysen Kadiu. Berisha deklaroi se Kadiu kishte shkuar në SHBA gjatë fushatës, ndërsa Salianji e kundërshtoi ashpër këtë pretendim, duke thënë se ai ka qenë aktiv në terren dhe se ka prova fotografike.

Kur Berisha e quajti “gënjeshtar”, Salianji reagoi me tone të forta, duke i kërkuar publikisht të tërhiqte fjalën dhe duke kërcënuar se do të largohej nga mbledhja.

“Të respektoj si kryetar partie, por fjalën ‘gënjen’ tërhiqeni ose dal nga mbledhja”, tha Salianji.

Debati i ashpër në Kryesi nxori në pah jo vetëm përplasjet personale, por edhe krizën e thellë të besimit dhe drejtimit brenda Partisë Demokratike, në një moment kur opozita pritej të ishte e fokusuar te përballja me qeverinë dhe jo te lufta e brendshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.