Salianji sfidon Berishën: Unë i mbush sallat më shumë se ti!
“Nuk më përjashton dot”
Përplasjet brenda Partisë Demokratike vijojnë të thellohen. Nga një studio televizive, Ervin Salianji iu kundërpërgjigj deklaratave të Sali Berishës, i cili e akuzoi se është vetëpërjashtuar pasi ka shkelur “vijat e kuqe” të partisë.
Ish-deputeti demokrat hodhi poshtë këtë pretendim, duke theksuar se një forcë politike nuk mund të funksionojë si pronë personale apo të përjashtojë anëtarë për shkak të mendimit ndryshe. Sipas tij, debatet e ngritura prej tij kanë pasur në fokus problematikat reale që, siç shprehet ai, po e mbajnë PD-në në krizë të vazhdueshme.
Salianji deklaroi se gjatë takimeve me demokratët ka artikuluar hapur shqetësimet për gjendjen e opozitës, ndërsa pretendon se pjesëmarrja në këto takime ka qenë e konsiderueshme. Ai theksoi se Partia Demokratike, në gjendjen aktuale, e ka të vështirë të përballet me një qeveri që, sipas tij, është e zhytur në korrupsion.
Në reagimin e tij, Salianji kërkoi që drejtuesit e partisë t’u japin përgjigje anëtarëve për çështjet e ngritura dhe të pranojnë gabimet e bëra ndër vite. Ai përmendi edhe episodin e incidentit me molotov pranë një qendre arti, duke theksuar se përgjegjësitë duhen reflektuar, ndërsa shtoi se opozita nuk mund të vazhdojë me të njëjtën qasje nëse synon të rikthehet në pushtet.
Sipas tij, zgjidhja është ose reflektimi dhe hapja ndaj mendimeve ndryshe, ose krijimi i hapësirës që drejtimin ta marrin ata që, siç u shpreh, dinë ta bëjnë më mirë.
“Partia nuk është pronë publike, PD nuk përjashton dot njeri për shkak të mendimit. Ti përgjigjet kushdo problematikave që unë kam ngritur dhe ti kthejnë përgjigje demokratëve. E ka të pamundur PD të rrëzojë një qeveri të zhytur në korrupsion. Unë kam thënë të vërtetat, kam mbushur sallat më shumë se kreu i partisë. Njerëzit ose të ndjekin, ose të ndjekin, nuk është të të quajnë sallat të paligjshme. Edhe ne Ramën të paligjshëm e quajmë, koka e krimit, por ai qeveris. Të kthejnë përgjigje, ekzistojnë apo jo problematikat. Ndodhi molotovi te qendra e artit, kërkoi ndjesë, gabuam aty, po gabuat gjithë kohën na latë në opozitë. Mos gaboni, dëgjoni të tjerë që dinë ta bëjnë, ose hapni krahun dhe ta bëjnë të tjerë që dinë ta bëjnë me mirë”, u shpreh Salianji.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



