E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Salianji thumbon PD-në: Paaftësia jonë po mban në pushtet Ramën
Lajme

Salianji thumbon PD-në: Paaftësia jonë po mban në pushtet Ramën

“Shqiptarët duhet të kishin mbushur sheshin për skandalin 50 mln euro të Balluku”

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji zhvilloi sot një takim me strukturat e PD-së në degën e Durrësit, ku të pranishëm ishin edhe kandidatë të votuar masivisht në zgjedhjet e 11 majit, të cilët megjithë mbështetjen e madhe në zonat e tyre, nuk arritën të hynin në parlament.

Gjatë fjalës së tij, Salianji theksoi se Partia Demokratike nuk është sot në nivelin e pritshmërive të shqiptarëve, pasi duhej të garantonte ndryshimin dhe largimin e një qeverisjeje “të inkriminuar dhe të korruptuar”.

Ai solli në vëmendje skandalin 50 milionë euro të Tunelit të Llogarasë, duke theksuar se për një aferë të tillë PD duhej të kishte mbushur sheshet, njësoj si qytetarët në Rumani apo Bullgari që rrëzuan qeveritë e tyre për skandale më të vogla.

“Duhet të bashkohemi për largimin e Edi Ramës”

Salianji u bëri thirrje demokratëve që të bashkohen për të ndërtuar një forcë politike që mund të çojë vendin drejt rotacionit.

“Demokratët po thërrasin. Thirrjet e tyre nuk duhet të zbukurohen apo relativizohen. Janë dhimbje që duhet të rëndojnë në peshën e çdo politikani të PD.” — tha ai.

Ai shtoi se “Shqipëria nuk po qeveriset, por po plaçkitet, po shpopullohet, po plaket”, ndërsa tenderët “ndahen si plaçkë lufte”.

Salianji akuzoi qeverinë se ka krijuar varësi të qëllimshme tek qytetarët, ndërsa për Durrësin tha se është kthyer në “simbol të krimit të organizuar”, duke përmendur portin që sipas tij është në dorën e grupeve kriminale dhe klanit të Troplinëve.

Kritikë edhe ndaj PD-së

Salianji pranoi se një pjesë e përgjegjësisë bie mbi vetë Partinë Demokratike, duke theksuar se mungesa e organizimit dhe gabimet e brendshme kanë demotivuar demokratët.

Ai solli shembullin e zgjedhjeve të pjesshme ku PD “nuk nxori dot më shumë se 2500 votues në votim”, duke kërkuar reflektim serioz:

“Pse demokratët nuk dalin të votojnë? Pse nuk arrijmë t’i motivojmë?”

Salianji shtoi se skandali 50 milionë euro i zv.kryeministres Belinda Balluku duhej të kishte ndezur revoltën popullore, por PD nuk ka arritur ta kapitalizojë zemërimin e qytetarëve.

“PD është një vokacion, duhet të hapet dhe të ripërtërihet”

Ai nënvizoi se Partia Demokratike mbetet një fuqi e jashtëzakonshme politike, por ka nevojë të hapet, të freskohet dhe të rikthejë shpresën te njerëzit.

“Shqipëria ka nevojë për një PD të hapur, që bashkëpunon me të gjitha forcat opozitare. Fitorja është detyrim që i kemi shqiptarëve.”

Në fund, Salianji bëri thirrje të drejtpërdrejtë:

“Bashkohuni me ne. Do e mundim Edi Ramën dhe do sjellim ndryshimin.”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.