Sekuestrohet “Ferrari” me vlerën marramendëse në Tiranë (Video)
Dyshimet nga policia
Një automjet luksoz tip Ferrari, me vlerë rreth 600 mijë euro, është sekuestruar nga Policia e Tiranës si pjesë e operacionit “Red”, që synon goditjen e pasurive të përfituara nga veprimtaria kriminale.
Sipas hetimeve paraprake, mjeti dyshohet se është përfituar nga aktiviteti i paligjshëm i trafikimit të lëndëve narkotike nga shtetasi Eri Vraja, i cili më parë është dënuar për trafik droge në Turqi. Automjeti ishte regjistruar në emër të një personi tjetër, me qëllim shmangien e hetimeve dhe fshehjen e burimit të të ardhurave.
Në kuadër të këtij procedimi penal janë vënë nën hetim tre persona, ndërsa kontrollet dhe verifikimet vijojnë për pasuri të tjera që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Red”.
Sekuestrohet 1 automjet tip “Ferrari”, me vlerë rreth 600 000 euro, i dyshuar i përfituar nga trafikimi i lëndëve narkotike.
Në hetim drejtuesi i automjetit, autor i kësaj veprimtarie kriminale, në Turqi.
Ky shtetas e kishte regjistruar në pronësi të një 36-vjeçari, këtë automjet, të cilin e kishte sjellë në Shqipëri, për llogari të tij, një 30-vjeçar.
Vihen në hetim dhe të dy të implikuarit në këtë rast.
Në vijim të hetimeve, me objektiv gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive me burime kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin “Red”.
Në kuadër të operacionit, u ndalua në rrugën “Abdyl Frashëri”, automjeti tip “Ferrari”, me drejtues shtetasin E. V., 30 vjeç, i dënuar më parë në Turqi, për trafikim të lëndëve narkotike, pasi nga hetimet dyshohet se automjeti është përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Nga hetimet e mëtejshme u identifikuan shtetasi të cilit 30-vjeçari ia kishte lënë në pronësi automjetin, me qëllim shmangien e gjurmimit, konkretisht S. Ll., 36 vjeç, si dhe shtetasi që kishte sjellë automjetin, në Shqipëri, për llogari të 30-vjeçarit, konkretisht A. L., 30 vjeç. Në vijim të veprimeve procedurale nisi procedimi penal për të 3 këta shtetas.
Gjithashtu, vijojnë hetime për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të shtetasit E. V. ose të afërmve të tij, që mund të jenë përfituar nga veprimtaria e tij kriminale, në Turqi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



