Sharra mbytet në plehra, inceneratori fantazmë djeg nga 80 mijë euro në ditë para publike

 

Landi Çela

Vetëm pak metra larg shtëpive në Sharrë është hapur një tjetër gropë për mbetjet urbane. Era e rëndë, rrugët e shkatërruara dhe premtimet e pambajtura janë bërë realiteti i përditshëm për banorët. Ndërsa tonelata plehrash vazhdojnë të derdhen çdo ditë, inceneratori që do zgjidhte krizën, mbetet një premtim fantazmë që ka “djegur” miliarda pa kthyer asgjë mbrapsht.

“Gropa më ka ardhur në derë, nuk kam vajtur unë te gropa,” thotë Durim Zeneli, banor i lagjes “Zenelaj” në Sharrë, ndërsa tregon dritaren nga ku dikur shihte malin, e sot sheh mbeturina.

Në vend të energjisë së premtuar nga inceneratori, Sharra po prodhon vetëm ndotje. Zona është tejmbushur përtej kapacitetit, ndërsa autoritetet zvarriten me “zgjidhje të përkohshme”.

Qeliza e re, një tjetër zgjatje e krizës

Landfilli i Sharrës, me kapacitet 420 mijë metër kub, ishte projektuar si zgjidhje kalimtare deri në ndërtimin e inceneratorit që kurrë nuk ndodhi. Sot, pas viteve zvarritje, u miratua ndërtimi i një “qelize të re”  një gropë tjetër që pritet të zgjasë vetëm një vit.

Kompania “Integrated Energy”, tashmë nën administrimin e Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara, kërkon rishikimin e lejes mjedisore. Për këtë arsye, organizoi më 23 maj një dëgjesë publike në një hotel në Vaqarr. Ajo që duhej të ishte një diskutim gjithëpërfshirës me banorët, u kthye në një formalitet 20-minutësh me prezantime teknike dhe refuzim për të dëgjuar hallet reale të komunitetit.

“Mos e kanalizojmë takimin mbi rrugën, çështje lokale,” ndërhyri zyrtari i Bashkisë Tiranë, Genc Kojdheli, sapo banorët përmendën infrastrukturën e dëmtuar.

Mbetjet, ndotje dhe heshtje zyrtare

Sipas administratorit shtetëror të kompanisë, Indrit Karaj, çdo ditë në Sharrë depozitohen rreth 1000 ton mbetje nga pesë bashki. Sipas tij, qeliza e re do të kapsulojë mbetjet dhe zona do të kthehet në hapësirë të gjelbër. Por për banorët që prej vitesh jetojnë mes erës së padurueshme dhe rrugëve të shkatërruara, këto deklarata janë thjesht propagandë.

Ata denoncuan gjithashtu hedhjen pa kontroll të dherave në zonën pyjore, për të cilën autoritetet nuk dhanë asnjë përgjigje konkrete.

Sipas ligjit shqiptar, dëgjesat publike duhet të jenë të hapura dhe reale, por në Sharrë dëgjimi ishte një fasadë. “Këta thonë që takimi është për gropën e re… po hallet tona, kur do dëgjohen?”, tha një banor në fund të takimit.

9 miliardë lekë për asgjë

Nga viti 2018 deri më sot, qytetarët shqiptarë kanë paguar mbi 9.18 miliardë lekë për kontratën e inceneratorit të Sharrës, sipas përllogaritjeve të ekspertit të ekonomisë, Ilir Brasha. Pjesa më e madhe e këtyre pagesave është kryer nga Bashkia Tiranë dhe Durrës.

Por në terren, inceneratori nuk ekziston. Funksioni i tij  djegia e mbetjeve për të prodhuar energji nuk është vënë në zbatim asnjëherë. Ndërkohë, qytetarët vazhdojnë të paguajnë për një shërbim që nuk ofrohet.

“Janë vendgrumbullime as në kushtet e një landfilli. Thjesht janë mbledhur aty për t’u djegur… por nuk digjen dhe po krijojnë një bombë ekologjike,” thotë Olsi Nika nga organizata Eco Albania.

As zgjidhje, as përgjegjësi

Qeliza e re është thjesht një tjetër zgjatje e agjendisë së papërgjegjshme ndaj menaxhimit të mbetjeve. Ekspertët janë të qartë: pa reformë rrënjësore dhe pa transparencë në kontratat publike, Shqipëria do të vazhdojë të groposë miliarda bashkë me plehrat.

“Taksapaguesit veç ndotjes mjedisore, ndikohen edhe nga grabitja po aq e madhe sa ndotja duke paguar 80 mijë euro në ditë nga taksat tona, -përfundon eksperti Ahmet Mehmeti.

Publikuar nga Publik Media