Shehaj akuza Ramës: Po përgatit grabitjen e tokave bujqësore!
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar ashpër ndaj projektligjit të propozuar nga mazhoranca, i cili parashikon hapjen e mundësisë për shitjen e tokës bujqësore edhe për shtetas dhe kompani të huaja. Sipas tij, kjo nismë nuk ka lidhje me zhvillimin ekonomik apo afrimin me standardet europiane, por përbën një mekanizëm për përvetësimin e pronave publike në favor të një rrethi të ngushtë interesash.
Shehaj thekson se aktualisht toka bujqësore në pronësi të shtetit nuk mund t’u shitet subjekteve të huaja, por ndryshimi i këtij kufizimi krijon terren për abuzime të mëdha. Ai shprehet se përmes këtij projektligji rrezikohet që sipërfaqe të konsiderueshme toke të përfundojnë në duart e oligarkëve dhe kompanive të fshehura pas strukturave offshore.
Sipas tij, mbi 100 mijë hektarë tokë bujqësore vijojnë të jenë pronë shtetërore dhe duhet t’u rikthehen pronarëve legjitimë, por në vend të kësaj po ndërmerren iniciativa ligjore që, sipas tij, synojnë shpërndarjen e këtyre pasurive tek individë të lidhur me pushtetin.
Në reagimin e tij publik, Shehaj thekson se qytetarët shqiptarë kanë treguar se dinë të reagojnë ndaj padrejtësive dhe paralajmëron se ky projektligj nuk do të kalojë pa kundërshtim. Ai shton se protestat do të vijojnë dhe kërkon dorëheqjen e kryeministrit, duke e cilësuar nismën si një tjetër përpjekje për të dëmtuar interesat e publikut.
Debati mbi këtë projektligj pritet të intensifikohet në ditët në vijim, ndërsa çështja e pronësisë dhe përdorimit të tokës bujqësore mbetet një nga temat më të ndjeshme në vend.
Reagimi i plotë:
Ky është projektligji nëpërmjet të cilit Edi Rama do të vjedhë tokën bujqësore që sot vazhdon të jetë pronë e shtetit shqiptar.
Sot që flasim, toka bujqësore shtetërore nuk mund të shitet tek shtetasit e huaj apo tek kompanitë e huaja.
Duke hequr këtë kufizim, kjo mund të ndodhë.
Dhe kjo nuk bëhet sepse Edi Rama do të tërheqë investitorë të huaj dhe as sepse do të përafrojë legjislacionin shqiptar me atë të BE.
Por e bën sepse do që të ndajë me ortakët e tij, me oligarkët e tij, shpesh të fshehur pas kompanive offshore, tokën bujqësore shqiptare.
Mbi 100 mijë hektarë tokë bujqësore është sot pronë e shtetit shqiptar e cila duhet të ishte kthyer tek pronarët legjitimë.
Edi Rama nuk e bën këtë, por bën projektligje të tilla për të ndarë gjithë këtë pronë shtetërore me miqtë e tij.
Por kjo nuk ka për të ndodhur sepse qytetarët shqiptarë treguan që dinë të reagojnë.
Dhe nuk kanë për ta lejuar vjedhjen e radhës.
Protesta vazhdon, Edi Rama duhet të japë dorëheqjen edhe për këtë projektligj skandaloz nëpërmjet të cilit do të vjedhë popullin më të varfër në Europë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



