Shehaj: Ekzekutivi po i bën presion drejtësisë dhe prokurorëve
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, gjatë fjalës së mbajtur në Parlament deklaroi se Shqipëria ndodhet në një “moment historik”, ku, sipas tij, shkelësit e ligjit po përballen gjithnjë e më shumë me drejtësinë, pavarësisht postit apo përkatësisë politike.
Shehaj akuzoi kryeministrin se po ushtron presion të hapur ndaj sistemit të drejtësisë, në veçanti ndaj SPAK dhe prokurorëve të saj. Ai kujtoi se disa prej prokurorëve janë shprehur se janë ndjerë të kërcënuar nga sulmet politike. “Kryeministri, që ka vartësen e vet të marrë të pandehur nga SPAK, sulmon çdo ditë drejtësinë dhe prokurorët. Kjo është shumë e rëndë,” tha ai nga foltorja.
Sipas liderit të Partisë Mundësia, ekzekutivi po përpiqet të ndikojë edhe përmes Gjykatës Kushtetuese, në një kohë kur SPAK ka marrë nën hetim disa prej figurave kryesore të Partisë Socialiste. “SPAK ka çuar përpara drejtësisë Ballukun, Ahmetajn, Veliajn, Beqajn e të tjerë. Të gjithë janë zyrtarë të PS-së,” u shpreh Shehaj.
Ai shtoi se, duke qenë se shumica e të hetuarve dhe të pandehurve janë pjesë e PS-së, vetë partia duhet të merret zyrtarisht e pandehur si institucion, pasi – sipas tij – ka shkaktuar dëme të mëdha financiare dhe institucionale në vend.
“Shekullimi që PS i ka bërë ekonomisë shqiptare është i pallogaritshëm. Sot mungojnë ilaçet në onkologjik sepse vendit i janë servirur qeveri të njëpasnjëshme të korruptuara,” përfundoi Shehaj, duke kërkuar një reagim më të ashpër institucional dhe publik ndaj korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



