E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shembet rruga në Mallakastër, asfalti përfundon në oborrin e një banese
Lajme

Shembet rruga në Mallakastër, asfalti përfundon në oborrin e një banese

Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shkaktuar shembjen e një segmenti rreth 20 metra të rrugës së sapo rikonstruktuar në fshatin Usojë, në territorin e Bashkia Mallakastër. Si pasojë, masa e asfaltit ka rrëshqitur duke përfunduar në oborrin e një banese private, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e banorëve.

Sipas banorëve, reshjet nxorën në pah problematika që kishin ngritur prej kohësh, si mungesa e standardeve teknike në ndërtimin e rrugës. Ata theksojnë se segmenti i dëmtuar nuk ishte i pajisur me mure mbajtëse kundër erozionit, as me kanale kulluese anësore, çka e ka bërë rrugën të pambrojtur përballë shirave të fortë.

Shembja ka ndodhur rreth orës 11:00 të ditës së djeshme dhe ka rrezikuar drejtpërdrejt banesën e familjes Kamaj. Bektash Kamaj bën me dije se fatmirësisht në momentin e rrëshqitjes askush nuk ndodhej në oborr, ndërsa për ngjarjen është njoftuar nga prindërit e tij të alarmuar.

Aktualisht, rruga është e pakalueshme për qarkullimin e mjeteve. Përgjegjësi i infrastrukturës pranë bashkisë Mallakastër, Kasëm Saliaj, ka deklaruar se po punohet për pastrimin e inerteve nga oborri i banesës së dëmtuar dhe se firma zbatuese e projektit është njoftuar për të ndërhyrë gjatë ditës së nesërme.

Ndërkohë, banorët e Usojës shprehen të zhgënjyer dhe të shqetësuar, duke paralajmëruar se edhe segmente të tjera të rrugës mund të jenë në rrezik shembjeje, nëse nuk merren masa të menjëhershme dhe serioze për garantimin e sigurisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.