Tentoi të shuante zjarrin që e ndezi vetë, humb jetën 76-vjeçari
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Greshicë të Mallakastrës, ku një 76-vjeçar ka humbur jetën pasi u përfshi nga flakët në një ullishte.
Sipas të dhënave paraprake, i moshuari dyshohet se kishte ndezur një zjarr në tokën e tij me qëllim djegien e mbeturinave. Situata më pas ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa 76-vjeçari është përpjekur të shuajë flakët.
Pikërisht gjatë ndërhyrjes për të ndalur përhapjen e zjarrit, ai dyshohet se është përfshirë nga flakët dhe ka humbur jetën.
Ngjarja është konstatuar rreth mesditës në Greshicë, ndërsa në vendngjarje kanë shkuar grupi hetimor dhe shërbimet përkatëse. Autoritetet kanë nisur verifikimet për të përcaktuar me saktësi dinamikën e ngjarjes dhe rrethanat që çuan në humbjen e jetës së të moshuarit.
Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të rastit, ndërsa paraprakisht dyshohet se zjarri ishte ndezur nga vetë viktima për djegien e mbeturinave në pronën e tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



