Sherri me 3 të plagosur në Kamëz, arrestohen 2 të mitur
Janë zbardhur rrethanat e konfliktit të ndodhur pasditen e djeshme në bulevardin “Nënë Tereza” në Kamëz, ku një përplasje mes adoleshentësh degjeneroi në përdorim të armës së ftohtë.
Sipas Policisë, pesë të mitur 16-vjeçarë janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta, i cili ka përfunduar me tre të lënduar, njëri prej të cilëve ndodhet në kujdesin e mjekëve.
Të dhënat zyrtare bëjnë me dije se dy nga adoleshentët janë arrestuar, pasi dyshohet se kanë goditur me mjet prerës (thikë) dhe me grushte tre bashkëmoshatarët e tyre.
Nga përplasja:
Njëri prej të plagosurve është në spital, nën kujdes mjekësor.
Një tjetër është jashtë rrezikut për jetën.
I treti ka marrë dëmtime të lehta dhe është kthyer në banesë.
Policia vijon hetimet dhe është duke punuar për gjetjen e mjetit prerës të përdorur në konflikt.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Zbardhen rrethanat e konfliktit për motive të dobëta, të ndodhur dje, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamzë, ndërmjet pesë 16-vjeçarëve.
Arrestohen 2 të miturit që dëmtuan me mjet prerës (thikë) dhe me grushte, 3 të miturit e tjerë.
Në vijim të hetimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për sqarimin e rrethanave të konfliktit të datës 02.10.2025, në bulevardin “Nënë Tereza”, në të cilin u përfshinë 5 shtetas të mitur, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në praninë e prindërve, psikologut dhe mbrojtësve ligjorë, kryen veprimet procedurale për arrestimin në flagrancë të dy 16-vjeçarëve.
Të miturit e arrestuar dyshohet se kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë) dhe me grushte, 3 të miturit me të cilët janë konfliktuar për motive të dobëta.
Njëri prej të dëmtuarve është aktualisht në kujdesin e mjekëve, ndërsa 16-vjeçari tjetër, jashtë rrezikut për jetën. I dëmtuari i 3-të, është larguar në banesë, me dëmtime të lehta.
Punohet për gjetjen e mjetit prerës të përdorur.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


