Shpërndanin kokainë në Tiranë, policia arreston katër persona
Katër persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës në kuadër të një operacioni kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet.
Operacioni i koduar “Zonat”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, çoi në arrestimin në flagrancë të tre shtetasve: E.S., 45 vjeç, I.D., 54 vjeç dhe F.Gj., 48 vjeç. Ata u kapën në zonën e Rrugës së Kavajës me sasi të konsiderueshme të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, të cilën dyshohet se e posedonin me qëllim shitjen.
Sipas hetimeve paraprake, tre të arrestuarit bashkëpunonin me njëri-tjetrin për sigurimin e kokainës në sasi të mëdha, të cilën më pas e ndanin në doza dhe e shpërndanin në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në “Ish-Park” dhe “Brryl”.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi rreth 350 gramë kokainë dhe dy peshore elektronike që dyshohet se përdoreshin për ndarjen e saj në doza për shitje.
Në vijim të operacionit, në pranga u vu edhe shtetasi E.D., 32 vjeç, i dyshuar për ushtrimin e aktivitetit të shpërndarjes së kokainës në zona të ndryshme të kryeqytetit. Gjatë kontrollit në ambientet e subjektit ku ai punonte, efektivët gjetën dhe sekuestruan një sasi kokaine të ndarë në mbi 220 doza, si dhe një shumë parash që dyshohet se rrjedh nga aktiviteti kriminal.
Në total, gjatë operacionit u sekuestruan mbi 400 gramë kokainë, një pjesë e së cilës e ndarë në qindra doza gati për tregtim, dy peshore elektronike, katër telefona celularë dhe shuma parash të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme ligjore, ndërsa policia bën me dije se operacionet kundër shpërndarjes së narkotikëve do të vijojnë në të gjithë territorin e kryeqytetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



