Shpërthim me eksploziv në Elbasan
Një shpërthim i dyshuar me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit në qytetin e Elbasanit, ku është dëmtuar porta e jashtme e rrethimit të një banese. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Çlirimi”, ndërsa deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, banesa i përket shtetasit Sh. F., 69 vjeç. Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme materiale në hyrjen e jashtme të pronës, ndërsa nuk ka të dhëna për pasoja në njerëz.
Pas konstatimit të ngjarjes, në vendin e incidentit kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat në të cilat ndodhi shpërthimi.
Grupi hetimor po punon për mbledhjen e provave, dokumentimin e dëmeve dhe identifikimin e personit ose personave që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje. Autoritetet synojnë të zbardhin mënyrën e vendosjes së lëndës plasëse dhe motivet e mundshme, ndërsa deri në këtë fazë nuk janë bërë publike të dhëna të tjera mbi autorët e dyshuar.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



