Shqipëria dhe Anglia arrijnë marrëveshjen për paratë e krimit
Britanikët kërkojnë paratë e grupeve kriminale shqiptare, pasuritë e konfiskuara do të ndahen përgjysmë
Paratë e grupeve kriminale shqiptare nuk po mbeten më vetëm brenda kufijve të vendit. Autoritetet e huaja po ndjekin asetet dhe fondet që dyshohet se janë krijuar nga aktiviteti kriminal dhe më pas janë investuar apo fshehur në Shqipëri.
Një nga rastet më të fundit vjen nga bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa miliona euro të sekuestruara në kuadër të çështjes “Toyota Auris” vijojnë të mbeten objekt diskutimi dhe procesesh ligjore, autoritetet britanike kanë arritur një marrëveshje konkrete me Shqipërinë për ndarjen e pasurive të rikuperuara nga një tjetër çështje kriminale.
Përmes Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë formalizuar një marrëveshje që parashikon ndarjen në mënyrë të barabartë të të ardhurave të rikuperuara nga një grup kriminal shqiptar me aktivitet në Britani.
Pra, fondet e sekuestruara nuk do të mbeten tërësisht në Shqipëri. Një pjesë do t’i kalojë shtetit shqiptar, ndërsa pjesa tjetër do të përfitohet nga autoritetet britanike.
Marrëveshja tregon gjithashtu se bashkëpunimi ndërkombëtar kundër krimit të organizuar nuk përfundon me arrestimin apo dënimin e personave të përfshirë. Objektivi është edhe gjurmimi i parave dhe rikthimi i pasurive të krijuara nga aktiviteti kriminal.
Marrëveshja e parë e këtij lloji në rajon
Sipas njoftimit zyrtar të AAPSK-së, Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë arritur një marrëveshje për ndarjen e pasurive pas përfundimit të një çështjeje penale që lidhet me drogën dhe rikuperimin e fondeve.
Institucionet shqiptare e konsiderojnë këtë si marrëveshjen e parë të këtij lloji në rajon, duke e cilësuar si një precedent të ri në fushën e rikuperimit ndërkombëtar të pasurive dhe luftës kundër krimit të organizuar.
Çështja lidhet me një procedim penal të përfunduar për komplot në furnizimin me kanabis të grupeve të krimit të organizuar në Angli dhe Uells.
Pas hetimeve dhe përpjekjeve të përbashkëta të autoriteteve britanike dhe shqiptare, pasuritë e lidhura me aktivitetin kriminal u identifikuan dhe u rikuperuan në Shqipëri.
Kjo do të thotë se një pjesë e parave të gjeneruara nga aktiviteti kriminal ishte transferuar, investuar apo mbajtur në Shqipëri, duke bërë të nevojshëm bashkëpunimin mes dy vendeve për gjurmimin dhe sekuestrimin e tyre.
Paratë do të ndahen përgjysmë
Marrëveshja parashikon që të ardhurat e rikuperuara në kuadër të kësaj çështjeje të ndahen në mënyrë të barabartë mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Për autoritetet, ky mekanizëm synon të japë një mesazh të qartë ndaj grupeve kriminale: paratë e krijuara përmes trafikut dhe veprimtarive të tjera të paligjshme do të ndiqen edhe pasi të jenë zhvendosur jashtë vendit ku është kryer krimi.
Në këtë rast, bashkëpunimi ndërkufitar ka bërë të mundur identifikimin dhe rikuperimin e pasurive në territorin shqiptar, ndërsa përfitimi nga konfiskimi do të ndahet mes dy shteteve.
Marrëveshja krijon gjithashtu mundësinë që pasuritë e konfiskuara të përdoren për qëllime me interes publik dhe social në të dyja vendet.
Ceremonia në Tiranë
Marrëveshja u miratua zyrtarisht në një ceremoni të zhvilluar në Tiranë më 13 korrik.
Në aktivitet morën pjesë ambasadori britanik në Shqipëri, Nicholas Abbott, dhe Risena Xhaja, Kryeadministratore e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Procesi është rezultat i disa muajve bashkëpunim mes institucioneve shqiptare dhe britanike të zbatimit të ligjit dhe drejtësisë.
Në të janë përfshirë institucione të rëndësishme të të dy vendeve, mes tyre Home Office, Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA), Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës (CPS) dhe AAPSK.
Një sinjal për paratë e krimit
Rasti tregon një qasje gjithnjë e më të fortë të autoriteteve ndërkombëtare ndaj pasurive të krijuara nga krimi i organizuar.
Për grupet kriminale, transferimi i parave në një shtet tjetër apo investimi i tyre në pasuri të paluajtshme dhe asete të ndryshme nuk do të thotë domosdoshmërisht se ato janë jashtë juridiksionit të autoriteteve që hetojnë veprimtarinë kriminale.
Në këtë rast, autoritetet britanike kanë arritur të ndjekin gjurmët e parave deri në Shqipëri dhe, në bashkëpunim me institucionet shqiptare, të rikuperojnë pasuritë.
Marrëveshja Shqipëri–Mbretëri e Bashkuar shënon kështu një hap të rëndësishëm në mekanizmat e rikuperimit të pasurive kriminale dhe tregon se lufta ndaj krimit të organizuar po shtrihet gjithnjë e më shumë edhe te gjurmimi i parave, aseteve dhe investimeve të krijuara prej tij.
Njoftimi zyrtar i Agjencisë së Aseteve
Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nënshkruar një marrëveshje historike për ndarjen e pasurive pas përfundimit të një çështjeje të lidhur me drogën dhe rikuperimin e fondeve. Kjo shënon marrëveshjen e parë të këtij lloji në rajon dhe vendos një precedent të ri për bashkëpunimin ndërkombëtar në rikuperimin e pasurive dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Marrëveshja lidhet me një çështje penale të përfunduar për komplot për furnizimin me kanabis të grupeve të krimit të organizuar në juridiksionin e Anglisë dhe Uellsit. Pas përpjekjeve për rikuperimin e pasurive nga autoritetet britanike dhe shqiptare, të cilat punuan së bashku, të ardhurat nga krimi u identifikuan dhe u rikuperuan me sukses në Shqipëri.
Sipas marrëveshjes, të ardhurat e rikuperuara nga kjo çështje do të ndahen në mënyrë të barabartë midis dy vendeve, duke u dhënë një mesazh të qartë kriminelëve se autoritetet britanike dhe shqiptare do të ndjekin të ardhurat e krimit të organizuar dhe do të punojnë përtej kufijve. Marrëveshja hap rrugën që pasuritë e sekuestruara të riinvestohen për të mirën sociale në të dy vendet.
Marrëveshja u miratua në një ceremoni zyrtare në Tiranë, më 13 korrik, ku morën pjesë Ambasadori i Madhërisë së Tij në Shqipëri, Nicholas Abbott, dhe znj. Risena Xhaja, Kryeadministratore e AAPSK-së.
Ajo është rezultat i muajve të bashkëpunimit të ngushtë midis autoriteteve britanike dhe shqiptare të zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit, të mbështetur nga Ministria e Brendshme (Home Office), Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA), Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës (CPS) dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara e Shqipërisë (AAPSK).
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



