Shqipëria digjet dhe qeveria Rama krihet
Naim Noka
Sot është një ditë tragjike për Shqipërinë. Flakët kanë kthyer vendin në një hartë plagësh të hapura. Nga Tepelena në Berat, nga Fushë-Arrëzi në Rrogozhinë, dhe me epiqendrën e ferrit në Gramsh zjarret kanë zhurritur fshatra, kanë shkrumbuar shtëpi, kanë detyruar qindra njerëz të braktisin gjithçka dhe të ikin, kanë djegur bagëti e pyje pa fund.
Bilanci është i rëndë: të paktën një i vdekur, shumë të plagosur – mes tyre ushtarë e zjarrfikës që po luftojnë mes jetës dhe vdekjes. Mendja jonë sot është me ta. Urrejtja jonë, me ato duar të mallkuara që ndezën zjarrin. Por kritikat tona, shkojnë drejt e në zemër të problemit: një shtet që në ditë si kjo është zhveshur nga çdo fuqi për të mbrojtur qytetarët e tij.
Një shtet nuk tregon forcë kur shemb shtëpitë e të varfërve, edhe pa leje, nën transmetime “live”. Nuk tregon forcë kur rrëzon karabinate për spektakël televiziv. Forca e vërtetë tregohet kur përballesh me fatkeqësitë, kur je aty për njerëzit e tu, kur nuk fshihesh pas frazës qesharake “zjarre ka kudo”, por pyet me seriozitet: Pse Shqipëria nuk ka asnjë avion zjarrfikës?
Pse nuk ka një sistem parandalimi? Pse çdo vit përsëritet e njëjta skenë tragjike, ndërsa zyrtarët japin intervista nga kolltuqet me ajër të kondicionuar?
Sepse prioritetet e kësaj qeverie nuk janë jeta dhe siguria e qytetarëve, por vitrinat e pushtetit dhe klientelizmi:
-
6 milionë dollarë për satelitët “Albania-1” dhe “Albania-2” – me qira, jo pronësi.
- Deri në 8 milionë euro për dronët “Bayraktar TB2” – për gjithçka, veç për emergjenca si kjo.
-
2 miliardë euro në kontrata PPP për 13 vjet – shumë prej tyre projekte luksi
ose të dyshuara për korrupsion.
- 350 milionë euro për inceneratorë fantazmë, që nuk shuanin as tym, jo më zjarr.
-
30 mijë euro
në muaj për larje makinash
nga ministritë e Belinda
Ballukut, Ogerta Manastirliut dhe Blendi Gonxhes.
- 5 milionë euro për “Parkun Eden” në oborrin e Kryeministrisë – me të cilat mund të blihej një avion zjarrfikës Fire Boss.
Dhe ndërkohë, në Delvinë sot po rrezikohet një katastrofë masive: zjarri po i afrohet vendburimit të gazit e naftës, si dhe depozitave të karburanteve. Asnjë zjarrfikëse në vendngjarje. Flakët digjen gjithë ditën, duke rrezikuar jo vetëm mjedisin dhe pronat, por edhe jetën e qindra qytetarëve.
Mali i Zi ka 4 avionë Fire Boss, Sllovenia 4, Maqedonia e Veriut 3. Ne? Zero.
Kjo nuk është thjesht keqmenaxhim. Është një papërgjegjësi politike e morale e pastër. Një qeveri që gjen para për fasada, kulla, parqe luksi dhe projekte klienteliste, por jo për mjetet që shpëtojnë jetë, nuk është thjesht e paaftë – është e shkëputur nga realiteti i vendit që drejton.
Sot, Shqipëria digjet dhe qeveria krihet. Ndaj, zoti Rama, dil në oborrin e vilës në Dhërmi, ndiz “live”-n e Facebook-ut, merr një krëhër dhe krihu “sy më sy” me popullin, ashtu siç të ka hije vërtet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


