Shqipëria e nis me fitore, mposht Bjellorusinë pastër në ‘Air Albania’
Shqipëria e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e saj në Ligën e Kombeve, duke regjistruar një fitore 2-0 ndaj Bjellorusisë në stadiumin “Air Albania”.
Kuqezinjtë e morën menjëherë kontrollin e lojës dhe krijuan mundësi për të zhbllokuar rezultatin. Manaj iu afrua golit në minutat e para, ndërsa në krahun tjetër Etrit Berisha u detyrua të ndërhynte për të mbajtur portën shqiptare të paprekur.
Goli i avantazhit erdhi rreth 15 minuta para përfundimit të pjesës së parë. Gjimshiti fitoi një 11-metërsh pas një kontakti brenda zonës dhe përgjegjësinë për ekzekutimin e mori Kristjan Asllani. Mesfushori shqiptar nuk gaboi nga pika e bardhë, duke kaluar Shqipërinë në epërsi.
Kuqezinjtë nuk u mjaftuan me një gol. Në fundin e pjesës së parë, Shqipëria goditi sërish, këtë herë me Ernest Muçin. Sulmuesi përfitoi nga asistimi i Elseid Hysajt dhe dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë skuadrës avantazhin e dyfishtë.
Në fraksionin e dytë, Shqipëria pati mundësi të tjera për të vulosur përfundimisht ndeshjen. Taulant Seferi pati një rast të artë për të shënuar golin e tretë, por nuk arriti ta konkretizojë.
Bjellorusia u përpoq të reagojë dhe të rikthehej në lojë, por tentativa e skuadrës mike nuk solli ndryshim në rezultat. Shqipëria menaxhoi avantazhin deri në fund dhe e mbylli takimin me shifrat 2-0.
Pas këtij triumfi në “Air Albania”, kuqezinjtë do të rikthehen në fushë vetëm pak ditë më vonë. Ndeshja e radhës e Shqipërisë është ajo ndaj San Marinos, e programuar të luhet pas tre ditësh.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



