Shqiptarët ikin nga vendi i tyre
ndërsa bota lufton për të hyrë në Europë
Mentor Kolija
Kjo është Lufta III
Territoret autonome spanjolle në brigjet e Afrikës Veriore janë bërë arenë e vërshimit të mijëra njerëzve, kryesisht të rinj dhe fëmijë, nga Maroku dhe vende të tjera afrikane.
Pamjet e dy ditëve të fundit kanë treguar një “valë pushtimi” njerëzor. Ata synojnë vendet e Europës Perëndimore, në kërkim të kushteve më të mira të jetesës.
Luftërat dhe varfëria po nxisin gjithnjë e më shumë valë emigrimi, të cilat po shndërrohen në një problem madhor për vendet pritëse.
Ndryshimet klimatike, veçanërisht gjatë dekadës së fundit, vlerësohen si një faktor i rëndësishëm në përkeqësimin e kushteve të jetesës në vendet me burime të pakta natyrore. Mungesa e ujit është vendimtare në nxitjen e shpërnguljeve masive të njerëzve nga zonat e shkreta të Afrikës dhe Lindjes së Mesme drejt tokave më të përshtatshme në Perëndim dhe Veri.
Deri ku mund ta përballojnë këtë fluks vendet e Europës? Çfarë pasojash ekonomike, sociale dhe kulturore do të sjellë ai?
Do të vijë një moment kur politikat humanitare dhe të drejtat e njeriut do t’i nënshtrohen presionit të popujve vendas. Ndërsa, matanë gardhit, do të ketë gjithnjë e më shumë njerëz që kërkojnë një tokë më të mirë.
Në gjithë këtë skenë, mesa duket, të vetmit që ikin nga një vend i mirë jemi ne, shqiptarët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



