Vuajtje e tension ndaj Marokut, Senegali shpallet kampion i Afrikës
Senegali është shpallur kampion i Afrikës pas një finaleje të zjarrtë dhe plot tension, duke mposhtur Marokun me rezultatin 1-0 pas kohës shtesë, në sfidën vendimtare të Kupës së Kombeve të Afrikës të zhvilluar të dielën në Rabat. Ky sukses shënon herën e dytë në histori që “Luanët e Terangës” ngrejnë trofeun kontinental.
Finalja u shoqërua me polemika të forta, sidomos pas një penalltie të akorduar për Marokun tetë minuta pas nisjes së shtesës, vendim që shkaktoi reagime të ashpra dhe kaos në fushë. Trajneri i Senegalit, Pape Thiaw, i revoltuar nga vendimi, kërkoi që lojtarët e tij të largoheshin drejt dhomave të zhveshjes.
Pas rreth 15 minutash ndërprerjeje dhe diskutimesh të tensionuara, ishte Sadio Mané ai që bindi ekipin të rikthehej në lojë. Maroku pati mundësinë e artë për të kaluar në avantazh, por Brahim Diaz dështoi në mënyrë befasuese nga pika e bardhë, duke tentuar një goditje spektakolare që u neutralizua pa vështirësi nga portieri Edouard Mendy.
Pas këtij momenti, loja mori drejtim tjetër. Vetëm tre minuta pas nisjes së shtesës, Senegali gjeti rrugën e rrjetës me Pape Gueye. Mesfushori i Villarrealit lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca, e cila u ndal vetëm në rrjetë, duke vulosur fitoren 1-0 dhe mbyllur finalen pas 120 minutash lojë.
Me këtë triumf, Senegali pason Bregun e Fildishtë si kampion i kontinentit dhe i shton historikut të tij titullin e dytë të Kupës së Kombeve të Afrikës, pas suksesit të vitit 2021.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



