Shteti i Kosovës meriton shumë më tepër respekt, sesa rekorde botërore për të zgjedhur kreun e KUVENDIT

Afrim Krasniqi

Të gjitha shtetet në rajonin tonë, ashtu si shtetet e sotme në botë, kanë prioritete emergjente. Jetojmë në kohë krizash të shumëfishta, kohë ndryshimesh në rendin europian dhe botëror, është e natyrshme që shtetet të rishikojnë agjendat e tyre dhe të përballen me sfidat drejt të ardhmes.

Midis lajmeve ditore që vijnë nga Ballkani imagjinoni çfarë mund të mendohet në Washington, Berlin, Paris apo Londër kur lexohet, “23 seanca dhe Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedh kryetarin”. 23. Rekord historik. Ka rekorde mbi vonesa në krijime qeverish (p.sh., Belgjika qëndroi dy vjet në negociata), në zgjedhje Presidenti, Libani negocioi dy vjet për zgjedhjen e Presidentit të shtetit apo edhe Bullgaria zhvilloi disa zgjedhje parlamentare brenda vetëm 4-5 vite), por të zgjedhësh “speaker”-in e parlamentit?! Dy muaj testime? Një akt procedural, që zakonisht është produkt zgjedhjeje konsensuale ose zgjedhje nga mazhoranca, që hap rrugën për qeverinë e re dhe legjislaturë aktive. Kosova nuk ka as mazhorancë të mjaftueshme dhe as konsensus. Madje as dialog dhe as iniciativa që ofrojnë zgjidhje. Parlamenti i Kosovës mblidhet për të votuar të njëjtën kandidaturë që nuk i ka votat dhe kaq. Çdo 48 orë. 23 herë deri tani.

Në Tiranë Kosovën e shohim si vend shumë më progresist në administrimin zgjedhor, modeli i dënimit të krimeve zgjedhore është shumë më i avancuar, modeli i fushatës elektorale dhe ndryshimeve në elitat politike është leksion për ne, modeli i transparencës financiare dhe llogaridhënies është gjithashtu standarde përpara Tiranës, por kriza aktuale në Kosovë është thjesht e pa sens, pa argument, pa alibi, krejt e panevojshme dhe disi zhgënjyese në kontekstin sesi një gjeneratë e re politike nuk po arrin të zgjidh një problematikë që përbën abc-në e demokracisë.

E di që ka interesa politike, e di se të gjithë bëjnë lojë dhe kalkulime, e di se është garë nervash dhe ofertash jopublike, por shteti i së drejtës, demokracia funksionale, qeverisja qytetare dhe parlamentarizmi, politika e matur dhe përfaqësimi përmes saj janë procese shumë më të rëndësishme dhe më prioritare sesa gjithçka tjetër, përfshirë karrierat, kalkulimet dhe eksperimentet personale. Shteti i Kosovës meriton shumë më tepër respekt, qytetarët votues meritojnë më shumë respekt, demokracia e brishtë në Kosovë meriton më shumë respekt. Prishtina nuk ka nevojë të shënojë rekorde botërore në akte të tilla, por ka nevojë jetike të ketë institucione funksionale, legjitime dhe vizionare në qasje, veprim dhe ushtrim pushteti.

Reflektimi nga gabimet e të kaluarës? Gara në vendet dhe rajonin tonë duhet të jetë, jo cili lider është më i fortë dhe zotëron më shumë pushtet mbi shtetasit e institucionet e vendit të tij, cila parti ka më shumë votues dhe arrogancë pushteti, por cili lider politik dhe cila mazhorancë ofron dhe prodhon më shumë demokraci, më shumë shtet të së drejtës, më shumë përgjegjshmëri dhe vizion modern qeverisës, më shumë stabilitet demokratik dhe më shumë standarde për qytetarët e vendin. Një mesazh, të cilin më herët në Podgoricë, Beograd, Shkup apo Sarajevë dhe tanimë edhe në Prishtinë dhe Tiranë e kanë (kemi) injoruar.

Siç edhe duhet thënë, – për shkak të konflikteve personale midis liderëve të radhës prej kohësh ia kemi hequr/mohuar të drejtën njëri tjetrit (Tiranë vs Prishtinë) të ndihmojmë, ndofta të negociojmë apo thjesht të sugjerojmë rrugëzgjidhje mes nesh. Mund ta bëjmë për krizat në Ukrainë apo Lindjen e Mesme, por jo midis nesh.

Fatkeqësisht. Gabimisht.

 

Publikuar nga Publik Media