Si e ka shitur Mirlinda Karçanaj mbrojtjen e burgjeve në dorë të baxhanakëve të pushtetit

Kur siguria e shtetit kthehet në tender

Investigim

Karçanaj ia jep prapë Gerond Meçajt tenderin 6.2 miliardë lekë të kamerave të Burgjeve, denoncimi në KPP

Në Shqipërinë e vitit 2025, siguria kombëtare nuk është më as çështje e shtetit dhe as e përgjegjësisë. Është një tender. Një procedurë e prokuruar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), që drejtohet nga Mirlinda Karçanaj dhe që përfundon në xhepat e një grushti biznesmenësh të lidhur me qeverinë e Edi Ramës. Sot, ajo që dikur quhej “ruajtje e sekreteve”, ka degraduar në një aferë ku kamera kineze dhe skanera që nuk punojnë shiten si teknologji e sigurisë, ndërsa burgjet shqiptare janë kthyer në arenë ekzekutimesh mafioze.

Vellai i Damian Gjiknurit merr 10 MLN euro nga KLGJ

Një tender, një vrasje dhe zero përgjegjësi

Më 16 dhjetor 2023, një vrasje me pagesë ndodhi brenda Burgut të Peqinit. Një pistoletë u fut në qeli. Skaneri nuk funksiononte. Kamerat ishin jashtë loje. Por kontrata për mirëmbajtjen e sistemeve të sigurisë ishte aktive – me vlerë 6 milionë euro – dhe paratë i merrnin çdo muaj kompanitë e Gerond Meçes dhe Elton Jorgjisit. Asnjë hetim, asnjë ndëshkim. Vetëm heshtje.

Rikthimi i “fitueseve” me tenderin e radhës: 62 miliardë lekë në fushë

Më 10 prill 2025, AKSHI shpalli një tender të ri për “Mirëmbajtje të Sistemit të Sigurisë në IEVP”, me një fond prej 619,796,658 lekësh. Edhe këtë herë, gjithçka është qepur për të njëjtët emra. Të njëjtat firma që dështuan në të kaluarën, tani janë sërish të paracaktuara për të “garuar” dhe për të fituar.

Kompania “AESS” shpk, e vetmja që ka guxuar të ankohet në KPP, ka ekspozuar skandalin teknik të tenderit: kriteret janë qepur vetëm për produkte të Smith Detection dhe Uniview, të cilat në Shqipëri përfaqësohen nga AlbaScan, me pronar Elton Jorgjis, partner i Gerond Meçes. Kriteret janë të dizajnuara që të përjashtojnë çdo konkurrent tjetër, ndonëse produktet përbëjnë më pak se 3% të fondit të projektit.

Karçanaj do t’ia japë sërish tenderin e kamerave të burgjeve Gerond Meçes

Mirlinda Karçanaj, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) kërkon t’u japë sërish kontratën këtyre dy biznesmenëve që e kanë kapur AKSHI-in dhe po e mjelin.

Bëhet fjalë për fondin 619796658 lekë i cili është duke u prokuruar nga AKSHI me objekt “Mirëmbajtje e Sistemit të Sigurisë në IEVP për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve”

Tenderi është njoftuar më 10 prill 2025, ndërsa afati i fundit për paraqitjen e ofertës është më 12 maj 2025. Për momentin tenderi është pezulluar deri në shqyrtimin e denoncimit të bërë nga kompania “AESS” shpk me pronar  Lefter Klemon, e cila kërkon të ndryshojnë kriteret dhe specifikimet teknike, pasi fituesi është i paracaktuar.

“Ashtu si në tenderin e mëparshëm 2022-2024, ku është paraqitur 1 oferte e vetme, në këtë rast me shtimin e këtyre kritereve abuzive është lehtësisht e kuptueshme se sa e madhe do jetë pjesëmarrja. Përsëri do të jetë e njëjta situatë. Do kemi vetëm 1 ofertë nga OE ose BOE që kane partneritet me këto dy produkte: Smiths Detection dhe UNIVIEW”, denoncon kompania.

Kujtojmë se kontratën e mëparshme për sigurinë e 18 burgjeve e përfitoi bashkimi i operatorëve  “Advanced Business Solutions” e Gerond Meçes, “AlbaScan” e Elton Jorgjis, “Real Com” me pronar Marjan Brrakën dhe “CSP” SHPK e Klevis Xhagollit.

Në tetor 2022, u shpall tenderi me objekt “Mirëmbajtja e sistemit të sigurisë në 18 Institucione të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale”, në interes të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Vlera e tenderit ishte 611 milionë lekë të reja.

Tenderi u zhvillua me vetëm një operator ekonomik, bashkimin e shoqërive Advanced Business Solutions- Albascan- Real Com dhe CSP SHPK. Ky operator e fitoi tenderin pa garë duke ofruar 568.6 milionë lekë pa TVSH. Kontrata e këtij tenderi e firmosur në 19 dhjetor të vitit 2023 parashikonte mirëmbajtjen e sigurisë në burgje, përfshirë vëzhgimin me kamera, ndërrimin e kamerave të vjetra që mund të ishin të dëmtuara ose amortizuara. Ky projekt i paralajmëruar nga Edi Rama qysh më 2018 dështoi përshkak të korrupsionit.

ADVANCED BUSINESS SOLUTIONS –ABS sh.p.k”, ka si pronar kryesor Gerond Meçen. Deri në dhjetor 2024, më shumë se 53 milionë euro tendera të AKSHI-t, janë përfituar nga kompanitë e shtetasit Gerond Meçe. Ky i fundit, pasi ka përfituar tenderat, nga AKSHI, ia ka kaluar punimet kompanive të Armand Frangut, i cili është gjithashtu ortak i Gerond Meçes në dy kompani.

Meçe është ortak biznesi i Armand Frangut, i njohur si baxhanaku i Kryeministrit Edi Rama. Kompania ABS, e përdorur nga Meçe për të fituar tenderat e AKSHI-t, ka një rritje galopante të xhiros nga viti 2012, kur deklaronte xhiro 131 milionë lekë e deri në vitin 2024 kur xhiro ka arritur në mbi 18 milionë euro.

Baxhanaku i kryeministri Edi Rama, sipas të dhënave të siguruara nga QKB, rezulton aksioner në 2 kompani, B360 e bashkëthemeluar me Gerond Meçe dhe SIRMA e themeluar në vitin 2017 me ortak kompaninë SIRMA inc ku Armand Frangu ka në zotërim 45% të aksioneve. Të dyja këto firma kanë si objekt shërbimet IT.

Nga ana tjetër, Ermonela Denaj, drejtoreshë e I-gov pranë AKSHIT, është njëkohësisht kunata e Gerond Meçes, njeriut që merr tenderat nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe më pas kanalizon te Armand Frangu. Denaj gjithashtu ka qenë në disa projekte edhe si përgjegjëse për zbatimin e kontratës, duke pasur konflikt të hapur interesi, me biznesmenin Gerond Meçe.

E dyta kompani, AlbaScan, është një firmë e cila bashkëpunon me Meçen dhe në brenda pak vitesh ka xhiruar miliona euro.

Një rrjet klientelist: Baxhanakë, kunata dhe kompani që ndajnë qindra miliona

Në qendër të këtij rrjeti është Gerond Meçe, i cili nga viti 2012 në 2024 ka përfituar mbi 53 milionë euro tendera nga AKSHI. Paratë më pas kanalizohen tek bizneset e Armand Frangut, baxhanakut të kryeministrit Edi Rama. Frangu dhe Meçe janë ortakë në dy kompani IT. Në këtë skemë hyn edhe Ermonela Denaj, kunata e Meçes dhe zyrtare në AKSHI, që ka menaxhuar projektet ku kompania e familjes së saj fitonte miliona.

Kur burgjet shndërrohen në vatra krimi, drejtori jep dorëheqjen, por kontrata mbetet

Në Peqin ndodhi një vrasje. Në Fier, një tentativë arratisjeje nga Dan Hutra dhe grupi i tij. Kamera që nuk punojnë, mure që shpohet me vegla të futura ilegalisht dhe siguri që varet nga pajisje kineze të shitura me çmime evropiane. Pas këtyre skandaleve, drejtori i burgjeve, Admir Abrija, dha dorëheqjen. Por kontrata mbeti. Tani, Klevis Qose, pasardhësi i tij, do të duhet të marrë në dorëzim një sistem sigurie që është një grackë kriminale.

Tenderi “made in Karçanaj”: Sekrete, kritere të manipuluara dhe një garë për një

Në tenderin aktual, gjithçka është dizajnuar për të përjashtuar operatorët që nuk kanë lidhje me rrjetin e Meçes dhe Jorgjisit. AKSHI kërkon certifikime vetëm për 2 produkte, duke injoruar gjithë pjesën tjetër të sistemit. Mungon transparenca për pajisjet ekzistuese që duhet të mirëmbahen apo zëvendësohen – informacion që zotërohet vetëm nga kontraktori i vjetër. Kjo është një shkelje flagrante e parimeve të konkurrencës.

Denoncimi i tenderit në KPP

Kleçkat e tenderave të Mirlinda Karçanajt janë kontratat sekrete, kriteret dhe specifikimet që qepen për një operator të caktuar.

Konkretisht, sipas kompanisë “AESS”, dokumenti “Për Argumentimin e Specifikimeve Teknike”, në tenderin për sistemin e sigurisë në IEVP,  përveç titullit nuk përmban asnjë informacion mbi argumentimin teknik. E gjithë përmbajtja e tij, është thjesht një përmbledhje e shkurtuar e qëllimit të projektit pa asnjë të dhënë tjetër.

“AKSHI është i detyruar të japë argumentime të plota teknike dhe ligjore, ashtu si e parashikon kuadri ligjor. Shmangia nga ky detyrim e vendos çdo operator në pamundësi për të kuptuar logjikën e kritereve dhe specifikimeve dhe sigurisht i kufizon atij ndjeshëm ushtrimin e të drejtës së ankimit në lidhje me këto çështje” shkruan kompania në formularin e ankesës të dorëzuar në KPP.

Ndërkohë, nga kritere kualifikuese bie ne sy fakti se AK ka kërkuar staf të certifikuar nga Prodhuesit vetëm për dy komponentë të sistemit të sigurisë që janë “Sistemi i Menaxhimi Video (VMS) dhe “skanerat e bagazheve”. Për të gjitha pjesët e tjera të sistemit të sigurisë që kërkohet të mirëmbahet nuk ka kërkesa në lidhje me certifikimet.

Për ta bërë sa më të kuptueshme ankesën në tabelën e mëposhtme janë vendosur në mënyrë të detajuar të gjithë komponentët e sistemit të sigurisë që kërkohet të mirëmbahet, sasinë dhe emrin e markës.

Tabela tregon qartë numrin e madh të markave për elementet ekzistues të sistemeve të sigurisë në IEVP-të, ndërkohë që AK e ka përqendruar kërkesën e tij tek aftësitë teknike dhe profesionale për vetëm në 2 kompani: Prodhuesi i skanerave të markës “Smith Detection” dhe Prodhuesi i Sistemit të Menaxhimit Video (VMS) i markës “Uniview”.

“Uniview” është prodhuesi kinez i kamerave. Kompania që do të fitojë tenderin e AKSHI-t është ajo që ka përfaqësinë e Uniview në Shqipëri. Në faqen e kompanisë UNIVIEW rezulton që kompania e saj partnere në Shqipëri është AlbaScan me pronar Elton Jorgjis, partnerin e Gerond Meçes. Pra, me skanera dhe kamera kineze do të ruhet siguria në burgje. Po t’a lësh në dorë Karçanajt, kështu ndodh. Nuk është çudi që kamerat të vijnë edhe nga Rusia. Nuk ka problem që jemi vend i NATO-s!

Sipas kësaj logjike, të gjithë elementet e tjerë të sistemit ashtu siç janë vendosur në këtë tabelë, nuk kanë sensitivitet dhe as mënyra të ndryshme operimi dhe konfigurimi, pavarësisht se janë marka të ndryshme.

Janë gjithsej 2636 kamera me 4 prodhues të ndryshëm; 158 Monitorë me 9 prodhues të ndryshëm; 128 NVR/DVR nga 4 prodhues të ndryshëm e me radhë.

Sipas llogaritjeve të bëra nga kompania që ankohet, kosto totale e skanerave ekzistues nuk i kalon as 5% te fondit të vënë në dispozicion dhe kosto e mirëmbajtjes së tyre siç kërkohet nga ky projekt nuk i kalon as 2% të këtij fondi; Kosto e VMS-se në përqindje është 0.1% e fondit te buxhetuar. Pra kërkohet staf i certifikuar nga kompania kineze për 2.1% të pjesën e projektit më vlerë 3% dhe nuk aplikohet standardi për 97%.

Akoma më i çuditshëm është rasti i urës Metal Detector, për të cilin AKSHI nuk e ka parë të arsyeshme që të kërkojë staf të certifikuar nga Prodhuesi, por është mjaftuar thjesht me staf të certifikuar për instalim dhe konfigurim

Po të krahasojmë produktin Skaner të Bagazheve dhe urën Metal Detektor, funksioni i tyre është i njëjtë. Njëri skanon bagazhet dhe tjetri njeriun me qëllim parandalimin e futjes se mjeteve apo produkteve të paligjshme në ambientet e IEVP.

Normalisht shtrojmë pyetjet: Me çfarë logjike skaneri i bagazheve qenka më sensitiv se skaneri i njerëzve kur funksioni dhe roli i tyre është i njëjtë?

“Për ne logjika është shumë e qartë. AKSHI ka vendosur kritere të tilla për ta “qepur” këtë procedurë

për një Operator Ekonomik te caktuar, i cili ka partneritet me Prodhuesin e Skanerave të Bagazheve (Smiths Detection) dhe Prodhuesin e VMS (UNIVIEW), ndërkohë që për të gjithë pjesën tjetër të sistemit të sigurisë në IEVP ka edhe firma të tjera në treg të cilat disponojnë certifikime nga Prodhuesit për kamera, UPS, switch, centrale telefonike, etj.” denoncon kompania.

Duke  krahasuar kontratën e mirëmbajtjes së mëparshme të sistemeve të sigurisë në IEVP (periudha Dhjetor 2022- Dhjetor 2024) me tenderin në proces, duket qartë që kriteret kualifikuese janë ndryshuar duke hequr dorë nga kritere më profesionale dhe duke shtuar numër më të madh teknikesh (dhe jo të inxhinierëve) si dhe duke ulur numrin e menaxherëve të projektit.

Ndërkohë AKSHI ka shtuar kritere të posaçme vetëm për dy produkte (skaner bagazhesh dhe VMS).

Nga ana tjetër AKSHI favorizohet Gerond Meçe, mbajtësi i kontratës së mëparshme, duke cenuar barazinë e pjesëmarrësve në këtë tender.

Konkretisht informacioni është tërësisht i rezervuar vetëm për atë operator ekonomik që ka ofruar shërbimin e mirëmbajtjes për periudhën 2022-2024.

AKSHI e ka detyrim ligjor të japë informacion të plotë mbi pajisjet që kërkon të mirëmbajë, për më tepër kur kërkon edhe zëvendësim të tyre ne rast se riparimi nuk është i mundshëm!

Gjithashtu, sipas ankimuesit, konstatohet se në të dhënat për IEVP Durrës nuk përmenden NVR apo pajisje të tjera regjistrimi.

AKSHI duhet të japë informacion në lidhje me mënyrën e regjistrimit të pamjeve në IEVP Durrës dhe për serverat.

Mungesa e informacionit për këto pajisje ekzistuese që do të mirëmbahen ose zëvendësohen në rast dëmtimi, pengon vlerësimin e saktë te kërkesave dhe kostove të projektit. Ndërkohë, ky informacion është tërësisht i rezervuar vetëm për kompanitë e Meçes dhe Jorgjisit.

Kërkesa tjetër e operatorit ankimues është të ndahet tenderi në lote. “Pikërisht për faktin se kontrata nuk përbëhet nga shërbime homogjene apo të ngjashme, AKSHI ka të gjitha mundësitë për ta ndarë këtë kontratë në lote. Projekti ka 3 komponente kryesore: (i) Sistemet e Monitorimit; (ii) Sistemet e Telefonisë; (iii) Sistemet e Skanimit dhe Detektimit. Të tre këto sisteme janë tërësisht të ndryshëm dhe të pavarur nga njëri tjetri. Ndarja në lote nxit konkurrencën, lejon pjesëmarrjen sa më të gjerë të operatoreve ekonomikë duke rritur cilësinë e shërbimit pasi secili prej tyre është i specializuar për lotin qe aplikon” shkruhet në formularin e ankesës.

Kuptohet se Karçanaj nuk i bën vetë tenderat, po zbaron porositë e baxhanakut të kryeministrit. Po ashtu KPP që është akoma më e korruptuar dhe e varur direkt nga Rama, nuk pritet të ndryshojë asnjë presje në tender. Biznesmenët duhet të marrin guximin dhe t’ia bëjnë peshqesh SPAK-ut këtë dosje!

Afera që kërkon SPAK-un, jo vetëm KPP-në

KPP – institucioni që duhet të ndalojë këtë farsë – është më i korruptuar se vetë tenderi. Ndaj ka ardhur koha që dosja të shkojë aty ku duhet: në SPAK. Të gjithë zinxhiri i këtij tenderi, nga Mirlinda Karçanaj tek biznesmenët e lidhur me qeverinë, duhet të hetohet për korrupsion, shpërdorim detyre dhe abuzim me fonde publike.

Kur vrasjet në burg ndodhin me armë të futura nga dritarja, kur kamerat nuk xhirojnë dhe skanerët nuk zbulojnë asgjë, kur tenderat jepen si “dorë e tretë” për baxhanakë e kunata – atëherë nuk kemi më të bëjmë me siguri. Kemi të bëjmë me një regjim tenderash, ku jeta e qytetarëve është mall i shkëmbyeshëm mes pushtetit dhe klientëve të tij.

Publik.al do të ndjekë këtë çështje deri në fund. Sepse këtu nuk bëhet më fjalë për korrupsion. Por për jetë njerëzish.

Publikuar nga Publik Media