E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si e kontrollonte “Loli” trafikun e kokainës nga Ekuadori në zemër të Italisë
Bota

Si e kontrollonte “Loli” trafikun e kokainës nga Ekuadori në zemër të Italisë

Qindra kilogramë kokainë udhëtonin nga Ekuadori drejt Romës, duke kaluar përmes portit të Roterdamit dhe fshehur mjeshtërisht në kontejnerët e anijeve tregtare. Në qendër të këtij trafiku ndërkombëtar që llogarit fitime mbi një milion euro, hetuesit italianë kanë identifikuar një emër tashmë të njohur për drejtuesit e antimafias: një shqiptar i njohur me pseudonimin “Loli”.

LaRepublica shkruan se sipas hetimit të kryer nga Guardia di Finanza, që çoi të enjten në vendosjen e tetë masave sigurie me burg të kërkuara nga Drejtoria e Antimafias, “Loli” rezulton të jetë koordinatori kryesor i rrjetit, nga Holanda deri në kryeqytetin italian. Përmes komunikimeve të enkriptuara, ai organizonte porositë, mbërritjet dhe shpërndarjen e kokainës, duke kontrolluar një zinxhir që niste në Amerikën e Jugut dhe përfundonte në periferitë e Romës.

Hetimi ka dokumentuar 210 kilogramë kokainë të shitur dhe 130 të tjera të sekuestruara, si dhe zbulimin e një servisi të fshehtë ku modifikoheshin bagazhet e automjeteve të destinuara për transportin e drogës sapo mbërrinte në Europë.

Një nga dëshmitarët kyç, bashkëpunëtori i drejtësisë Fabrizio Capogna, ka dhënë detaje të rëndësishme për rolin e “Lolit”. Në dëshminë e tij të korrikut 2024, gjatë procesit për vrasjen e Fabrizio Piscitelli-t (“Diabolik”), ai ka treguar se shqiptari ofronte kokainë me çmime dukshëm më të ulëta se rivalët:

“Na jepte drogën me 26 mijë euro për kilogram, kur më parë e paguanim 31 apo 32 mijë”, deklaronte Capogna.

Dëshmitë e tij ndër vite kanë ndihmuar autoritetet italiane të zbardhin ngjarje të rëndësishme kriminale në Romë. Ai ka rrëfyer gjithashtu konfliktet e tij me njerëzit e Michele Senese-s – Leandro Bennato dhe Peppe Molisso – të cilët e akuzonin për “kalim te shqiptarët”.

“Më akuzoi se po ha si shqiptarët. I thashë që është çështje çmimi: nëse më japin çmimin e Lolit, blej te ata. Unë jam njeri i biznesit, jo i diskutimeve”, ka treguar Capogna.

Por besnikëria ndaj “Lolit” nuk i kushtoi pak: ai zbuloi se ishte tradhtuar, pasi dikush i kishte vjedhur 10 kilogramë kokainë. Sipas tij, vjedhja ishte një mesazh kundër shqiptarit, ndërsa më vonë mësoi se “Loli” kishte nisur bashkëpunimin me të njëjtët njerëz që e kishin sulmuar Capognan.

“Zbulova se Loli kishte filluar punë me ta: ishin ulur bashkë në tavolinë, ndërkohë që unë ende e merrja nga ai vend”, rrëfeu ai.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa Antimafia italiane pritet të zbardhë lidhjet e tjera të grupit dhe rolin e “Lolit” në trafikun transkontinental të drogës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.