Si e tradhëtoi fluturimi mbi central bërthamor biznesmenin Ermal Beqiraj
Autoritetet shqiptare kanë konfirmuar arrestimin në Francë të biznesmenit Ermal Beqiraj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK në kuadër të hetimeve për dosjen “AKSHI”.
Sipas Policisë së Shtetit, arrestimi u bë i mundur falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Lion. Beqiraj, 44 vjeç, u ndalua në qytetin Amiens, ndërsa ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” nga Gjykata e Posaçme.
Ai akuzohet për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë heqjen e paligjshme të lirisë, konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, shkeljen e barazisë në tendera, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, si dhe pastrim parash.
Arrestimi i tij në Francë erdhi pas një episodi të pazakontë. Sipas mediave franceze, Beqiraj u ndalua nga Forcat Ajrore dhe Hapësinore pasi fluturoi me një avion të vogël civil mbi centralin bërthamor të Penly në Normandi, në një lartësi më të ulët se ajo e lejuar. Lëvizja e tij ngriti dyshime te autoritetet franceze, të cilat nuk përjashtuan as pistën e spiunazhit.
Pas ndërhyrjes së menjëhershme, ai u neutralizua dhe iu dorëzua Xhandarmërisë Franceze. Gjatë kontrollit fizik, autoritetet gjetën tre pajisje gjurmimi të tipit AirTag të fshehura në rrobat e tij, çka shtoi dyshimet për aktivitet të pazakontë.
Para hetuesve, Beqiraj ka deklaruar se kishte gabuar lartësinë e fluturimit, duke pretenduar se ishte i shpërqendruar pasi po fliste në telefon me nënën e tij në atë moment.
Sipas raportimeve, itinerari i tij përfshinte nisjen nga Albert, kalimin drejt Calais dhe Bretanjës, përpara se të përfundonte mbi zonën e centralit bërthamor ku u ndalua.
Autoritetet franceze e kanë dënuar fillimisht me një gjobë prej 7 mijë eurosh për shkeljen e rregullave të fluturimit, ndërsa më pas ai është vendosur në paraburgim. Aktualisht pritet që ai të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do të nisë procedura për ekstradimin drejt Shqipërisë.
Ndërkohë, hetimet e SPAK ndaj tij lidhen me përfitimin e tenderëve publikë me vlerë mbi 1.1 milion euro përmes procedurave të dyshimta. Në kuadër të këtyre hetimeve janë sekuestruar edhe pasuri të shumta, përfshirë prona në Tiranë, Vlorë dhe Golem, biznese, automjete dhe llogari bankare.
Rasti i tij ka tërhequr vëmendje të gjerë për shkak të ndërthurjes së akuzave për korrupsion dhe episodit të pazakontë të ndalimit në një zonë me rëndësi të lartë strategjike si centrali bërthamor i Penly, ku po zhvillohen projekte të reja energjetike me interes ndërkombëtar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



