Si orientoheshin prokurimet nga Hava Deli për favorizim të Ermal Beqirit
Pas largimit nga detyra të Daniel Shimës si zv.drejtor i AKSHI-t, roli për menaxhimin dhe orientimin e procedurave të prokurimit duket se i kaloi Hava Delibashit.
Fillimisht në krye të Drejtorisë Juridike dhe më pas në postin e zv.drejtoreshës, ajo dyshohet se ka ndikuar drejtpërdrejt në përgatitjen e dokumentacionit për tendera, në mënyrë që të favorizoheshin kompani të lidhura me Ermal Beqirin.
Këto dyshime mbështeten në të dhënat e nxjerra nga këqyrja e telefonit të Emirton Sulit, zyrtar pranë AKSHI-t, i cili rezulton të ketë pasur komunikime të vazhdueshme me Delibashin.
Sipas vendimit të gjykatës, në këto biseda evidentohen udhëzime konkrete që ajo i jepte Sulit lidhur me detyrat e tij si përgjegjës i prokurimeve. Dyshohet se këto orientime nuk ishin të pavarura, por të përcjella nga drejtues të lartë të institucionit.
Një nga komunikimet më të rëndësishme lidhet me një procedurë prokurimi për mirëmbajtjen e sistemit “ATP WEB Gis” për Agjencinë e Trajtimit të Pronave. Nga përmbajtja e bisedave del se gara mund të ketë qenë formale, pasi një nga operatorët e renditur i dyti nuk kishte dorëzuar dokumentacion.
Në fund, tenderi u fitua nga një kompani që rezulton të ketë lidhje me Ermal Beqirin përmes strukturës së pronësisë dhe administrimit.
Në një tjetër komunikim të datës 12 mars 2024, Delibashi përmendet se ka kërkuar ndryshimin e listës së operatorëve ekonomikë të ftuar për ofertë.
Konkretisht, ajo sugjeron zëvendësimin e një kompanie me një tjetër dhe vazhdimin e procedurës, çka ngre dyshime për kontroll të plotë të procesit të prokurimit, që nga përzgjedhja e subjekteve, deri te shpallja e fituesit.
Sipas hetimeve, ky mekanizëm dyshohet se është përdorur për të orientuar tenderat drejt subjekteve të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me Ermal Beqirin.
Ndërkohë, SPAK ka njoftuar goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që operonte brenda AKSHI-t, duke shpallur në kërkim disa persona të përfshirë në këtë skemë.
Për disa prej zyrtarëve janë vendosur masa sigurie, ndërsa hetimet vijojnë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



