Si u arrit lokalizimi i Shpëtim Aliut? As gruaja ruse nuk e shpëtoi dot
Shpëtim Aliu, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare, është arrestuar në Rusi me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, pas një hetimi të përbashkët që çoi në identifikimin e vendndodhjes së tij.
Rreth një javë më parë, Interpol Moska ka njoftuar Interpol Tiranën për ndalimin e një shtetasi shqiptar, ndaj të cilit ishte vendosur “Red Notice” për çështje që lidhen me trafikun e narkotikëve dhe grupin e strukturuar kriminal.
Bëhet fjalë për Shpëtim Aliun, i cili sipas të dhënave të bëra publike, pas përballjes me problemet e drejtësisë shqiptare në qershor 2026, ishte larguar nga Dubai në drejtim të Rusisë.
Sipas të dhënave të hetimit, Aliu dyshohet se zgjodhi Rusinë për t’iu shmangur një arrestimi të mundshëm në Dubai dhe një ekstradimi të mëvonshëm drejt Shqipërisë. Lëvizja e tij lidhet edhe me faktin se ai kishte lidhje familjare në Rusi, pasi ishte martuar me një shtetase ruse.
U identifikua përmes bashkëshortes
Sipas raportimeve mbi hetimin, identifikimi i gruas me të cilën Aliu ishte martuar ka ndihmuar autoritetet ruse në përcaktimin e vendndodhjes së tij.
Aliu dyshohet se ishte vendosur në Rusi duke përdorur identitetin dhe lidhjet familjare si mënyrë për të qëndruar larg vëmendjes së autoriteteve.
Pas lokalizimit, policia ruse ka bërë ndalimin e tij, ndërsa tashmë autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për kthimin e tij në Shqipëri.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dërguar një letërporosi përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme në drejtim të autoriteteve ruse, me qëllim vijimin e procedurave për ekstradimin e Shpëtim Aliut në Shqipëri.
Në kërkim pas aksionit të 16 qershorit
Aliu ishte shpallur në kërkim nga SPAK pas operacionit të 16 qershorit 2026, ku autoritetet goditën një grup të dyshuar për trafik ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine dhe pastrim të parave.
Në kuadër të këtij hetimi, Aliu dyshohet për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Në komunikimet e zbardhura nga aplikacioni Sky ECC, ai shfaqet me disa pseudonime, mes tyre “Daja”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktor” dhe “Albo Pelon”.
Sipas materialeve hetimore, Aliu dyshohet se ka pasur një rol të rëndësishëm në qarkullimin dhe investimin e të ardhurave që prokuroria i konsideron me origjinë kriminale, përmes aktiviteteve në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme.
Hetuesit dyshojnë gjithashtu se ai ka furnizuar me kokainë grupe kriminale të lidhura me Eldi Dizdarin, Dritan Gjikën dhe Armando Pacanin.
Një tjetër akuzë e rëndë që përmendet në materialet e hetimit lidhet me dyshimin se Aliu ka pastruar në Shqipëri të paktën 30 milionë euro, të cilat sipas prokurorisë burojnë nga aktiviteti kriminal. Në këtë skemë dyshohet se ka pasur rol edhe vëllai i tij, Isa Aliu.
Tashmë, pas arrestimit në Rusi, procedura e radhës pritet të jetë ajo e shqyrtimit të kërkesës shqiptare për ekstradimin e tij, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret nga autoritetet kompetente ruse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



