U arrestuar në Rusi, zbulohet portreti i Shpëtim Aliut
Zbulohet portreti i Shpëtim Aliut i cili u arrestua të mërkurën në Rusi me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Detaje të reja dalin në dritë për Shpëtim Aliun, i cili u arrestua mbrëmjen e së mërkurës në Rusi, ndërsa autoritetet shqiptare synojnë ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Aliu ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme në qershor të këtij viti, në kuadër të një hetimi për një rrjet ndërkombëtar të dyshuar të trafikut të kokainës. Sipas të dhënave të përfshira në dosjen hetimore të SPAK, ai dyshohet se ka pasur një rol kyç në aktivitetin kriminal dhe në qarkullimin e parave të përfituara prej tij.
Hetuesit dyshojnë se Salvatore Aliu ka pastruar në Shqipëri të paktën 30 milionë euro, të cilat, sipas akuzës, burojnë nga aktivitetet kriminale.
Në menaxhimin e këtyre pasurive dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe vëllai i tij, Isa Aliu. Sipas hetimeve, Isa Aliu rezulton të ketë në pronësi katër kompani, të cilat dyshohet se janë përdorur për investimin e parave në pasuri të paluajtshme.
Bëhet fjalë për investime në vila, apartamente, troje dhe objekte ndërtimi, ndërsa në fokus të hetimit kanë qenë edhe struktura hoteliere të ndërtuara në zona turistike.
Masa e sigurisë dhe akuzat e SPAK
Në qershor 2026, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar caktoi ndaj Aliut masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai dyshohet për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Një pjesë e rëndësishme e provave të referuara nga hetuesit lidhet me komunikimet përmes platformës së enkriptuar SKY. Sipas dosjes, Salvatore Aliu përdorte disa identitete gjatë komunikimeve, mes tyre “Dala”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktor” dhe “Albo Pelon”.
“6 milionë euro tani, 20 milionë të tjera më pas”
Në komunikimet e zbardhura nga hetuesit, një prej episodeve të përmendura lidhet me bisedat mes dy vëllezërve për shumat e mëdha të parave që dyshohet se ishin në dispozicion të tyre.
Në gusht të vitit 2020, Isa Aliu e informon vëllain e tij se kishte në dispozicion 6 milionë euro. Rreth dy javë më vonë, Salvatore Aliu dyshohet se e njofton se priste të merrte edhe 20 milionë euro të tjera.
Sipas hetimeve, komunikimet mes tyre përfshinin edhe mënyrën e ruajtjes së parave deri në momentin kur ato do të investoheshin.
Një nga mënyrat e sugjeruara, sipas materialeve hetimore, ishte vendosja e shumave të parave në fuçi me kapacitet 50 litra dhe groposja e tyre.
Këto komunikime janë pjesë e materialeve mbi të cilat SPAK ka mbështetur dyshimet për aktivitetin financiar të grupit dhe mënyrën se si paratë e dyshuara me origjinë kriminale do të fshiheshin dhe më pas do të futeshin në investime.
Arrestimi i Shpëtim Aliut në Rusi pritet të pasohet nga procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



