Si u vetëdorëzua Vlora Hyseni dhe pse telefonoi policinë e Kosovës
Ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, është vetëdorëzuar te autoritetet në Kosovë pasi ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Ajo pritet të sillet në Tiranë, ndërsa në ditët në vijim pritet të merret në pyetje nga SPAK.
Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, është vetëdorëzuar te autoritetet e Kosovës, pasi ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” nga autoritetet shqiptare.
Hyseni akuzohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për nxjerrje të sekretit shtetëror.
Sipas të dhënave të raportuara, Hyseni ka qenë gjatë ditës në Prishtinë dhe nuk kishte njoftuar autoritetet shqiptare për vendndodhjen e saj.
Situata ka ndryshuar pasi pala shqiptare i ka kërkuar autoriteteve kosovare verifikimin nëse Hyseni ndodhej në territorin e Kosovës. Pas marrjes së këtij informacioni, ajo ka kontaktuar me autoritetet kosovare dhe ka kërkuar që të shoqërohej drejt pikës kufitare të Morinës, raporton Top Channel.
Hyseni kishte udhëtuar më herët drejt Baku-së, në Azerbajxhan, dhe pas përfundimit të vizitës ishte kthyer në Kosovë. Sipas të dhënave paraprake, ajo ka kërkuar ndihmën e autoriteteve kosovare për t’u eskortuar drejt kufirit me Shqipërinë.
Rreth orës 19:00, Hyseni ka mbërritur në pikën kufitare të Morinës, ku është marrë nga autoritetet shqiptare dhe pritet të shoqërohet drejt Tiranës.
Pas mbërritjes në Shqipëri, procedurat do të vijojnë në përputhje me vendimin e autoriteteve kompetente.
Brenda ditës pritet që Hyseni të dërgohet në banesën e saj, ku do t’i komunikohet masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Ndërkohë, brenda 48 orëve pritet të zhvillohet seanca gjyqësore për vlerësimin e masës së sigurisë. Gjatë kësaj seance pritet t’i komunikohet zyrtarisht masa e kërkuar nga autoritetet, ndërsa pala gjyqësore do të paraqesë edhe provat që lidhen me çështjen.
Në ditët në vijim, Hyseni pritet të merret në pyetje nga SPAK në kuadër të hetimit për nxjerrjen e sekretit shtetëror.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



