Denoncimi nga Kosova: Makina me targa shqiptare më goditi bashkëshorten qëllimisht dhe u largua
🇬🇧 Read in EnglishNjë qytetar nga Kosova pretendon se bashkëshortja e tij u përplas qëllimisht nga drejtuesi i një automjeti tip “Audi A6”. Ngjarja dyshohet se ndodhi më 28 nëntor, pranë shkollës “Mihal Grameno”, ndërsa drejtuesi i makinës tjetër u largua nga vendi i ngjarjes.
Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e Publik.al, ku një qytetar nga Kosova ngre shqetësimin për një incident të rëndë rrugor të ndodhur në Fushë-Kosovë.
Sipas denoncuesit, më 28 nëntor, rreth orës 20:00, bashkëshortja e tij, e cila udhëtonte së bashku me dy gra të tjera, është goditur nga një automjet tip “Audi A6”, me targa AC-638-BF.
Qytetari pretendon se drejtuesi i këtij automjeti kishte tentuar edhe më herët t’u afrohej dhe t’i godiste me makinë, por bashkëshortja e tij kishte arritur t’i shmangej përplasjes.
Disa minuta më vonë, sipas rrëfimit të tij, automjeti i ka goditur, duke bërë që gruaja të humbiste kontrollin dhe të dilte nga rruga. Makina përfundoi në trotuar dhe u përplas me shtyllat mbrojtëse.
Denoncuesi thotë se drejtuesi i “Audi”-t nuk është ndalur pas përplasjes, por është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Fatmirësisht, nga incidenti nuk pati persona të lënduar, ndërsa automjeti i familjes pësoi dëme materiale.
Qytetari shprehet se ka kërkuar ndihmën e policisë, por pretendon se rasti nuk është trajtuar me seriozitetin e duhur, me argumentin se në zonë nuk ka kamera dhe se ngjarja nuk paraqitet si e rëndë.
Në denoncimin e tij, ai kërkon publikimin e rastit dhe identifikimin e drejtuesit të automjetit, ndërsa shpreh indinjatën për atë që pretendon se ishte një veprim i qëllimshëm dhe i rrezikshëm.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në afërsi të shkollës “Mihal Grameno”, në Fushë-Kosovë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



