Simon Zereci emërohet në krye të Gardës së Republikës
Simon Zereci është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Gardës së Republikës, në përputhje me legjislacionin në fuqi për këtë institucion kyç të sigurisë shtetërore. Ai mban gradën “Drejtues Madhor” dhe vjen në këtë detyrë pas një karriere të gjatë dhe të konsoliduar në strukturat ushtarake dhe të mbrojtjes së personaliteteve.
I lindur në Tiranë, Zereci ka ndjekur fillimisht arsimin në shkollën ushtarake “Skënderbej”, për të vijuar më tej studimet në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, në degën “Gjithëarmësh”. Formimi i tij profesional është ndërtuar mbi një eksperiencë disa dekadëshe në shërbim të institucioneve të sigurisë.
Karrierën e nisi në vitin 1986 në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, ku shërbeu si komandant toge në repartin ushtarak të Zadrimës dhe më pas në role të ndryshme stërvitore dhe drejtuese. Dy vite më vonë, ai iu bashkua Gardës së Republikës, ku ndërtoi një profil të qëndrueshëm profesional në funksione të shumta operative dhe drejtimi.
Gjatë viteve në këtë institucion, Zereci ka mbajtur një sërë detyrash të rëndësishme, përfshirë role në sigurinë fizike të personaliteteve të larta shtetërore, drejtimin e njësive operative, si dhe përgjegjësi në strukturat speciale të Gardës. Ai ka qenë gjithashtu pjesë e ekipeve të shoqërimit dhe mbrojtjes së figurave të rëndësishme shtetërore.
Që nga viti 2013, ai ka drejtuar Njësinë Speciale të Gardës së Republikës, një nga strukturat më të ndjeshme dhe të specializuara të këtij institucioni.
Në shtator të vitit 1998, gjatë ushtrimit të detyrës si zëvendëskomandant i Kompanisë Operative, Zereci është plagosur në krye të detyrës, duke dëshmuar përfshirjen e tij direkte në situata me rrezik të lartë.
Përgjatë karrierës së tij, ai ka ndjekur trajnime dhe specializime të shumta brenda dhe jashtë vendit në fushën e sigurisë, përfshirë programe për mbrojtjen e personaliteteve në Egjipt, trajnime me ekspertë amerikanë për sigurinë e zyrtarëve të lartë, si dhe kualifikime në teknika të avancuara vetëmbrojtjeje.
Emërimi i tij në krye të Gardës së Republikës vjen si një hap i rëndësishëm në drejtimin e këtij institucioni, duke reflektuar eksperiencën e gjatë dhe profilin profesional të ndërtuar ndër vite në shërbim të sigurisë kombëtare.
Njoftimi i plotë:
Në zbatim të nenit 17 të ligjit 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, Z. Simon Zereci është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Gardës së Republikës dhe mban gradën Drejtues Madhor.
Drejtues Madhor Simon Zereci është lindur në Tiranë. Ka përfunduar shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” dhe më pas ka ndjekur studimet e larta në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, në specialitetin “Gjithëarmësh”.
Karrierën ushtarake e nisi në vitin 1986 në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, fillimisht si Komandant Toge në Repartin Ushtarak Zadrimë, më pas si Shef Stërvitjeje e të tjerë. Në vitin 1988 iu bashkua Gardës së Republikës, ku shërbeu në një sërë funksionesh, si: Komandant Toge; Specialist për Ruajtjen Fizike në Drejtorinë e Sigurisë së Personaliteteve të Larta Shtetërore; Komanant Toge në Kompaninë Operative; Zëvendëskomandant i Kompanisë Operative; Përgjegjës i grupit të shoqërimit të Ministrit të Rendit Publik; Oficer shoqërues pranë Zyrës për Mbrojtjen e Personaliteteve; Shoqërues në grupin mbështetës në Degën e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Personaliteteve të Larta Shtetërore; Komandant Grupi në Njësinë Speciale; e të tjerë.
Që nga viti 2013 e në vijim, ka mbajtur funksionin e Komandantit të Njësisë Speciale në Gardën e Republikës.
Gjatë karrierës së tij të gjatë ushtarake, është dalluar për përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë, duke rrezikuar edhe jetën në krye të detyrës. Në shtator të vitit 1998 është plagosur gjatë shërbimit, në krye të detyrës, teksa mbante funksionin e Zëvendëskomandantit të Kompanisë Operative.
Z. Zereci ka kryer një sërë trajnimesh dhe kualifikimesh brenda dhe jashtë vendit në fushën e sigurisë, si: kurs për mbrojtjen e personaliteteve (VIP) në Egjipt; trajnim për sigurimin e personaliteteve të larta shtetërore me instruktorë amerikanë; program ndërkombëtar sigurie i zhvilluar nga specialistë të sigurisë amerikane; trajnim në teknikat e avancuara të vetëmbrojtjes “Krav Maga Maor”, e të tjerë.
Gjatë karrierës së tij në Gardën e Republikës ka patur vlerësime shumë të mira pune.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



